Dyshohet që sulmet në Sri-Lankë u kryen nga një grup islamik

  • 22 prill 2019 - 12:25
Dyshohet që sulmet në Sri-Lankë u kryen nga një grup islamik

Ministri srilankas i shëndetësisë, Rajitha Senaratne, ka thënë se prapa sulmeve të përgjakshme të së dielës në Sri-Lankë qëndron grupi islamik “Thowfeek Jama-ath”. Sipas tij, ndonëse ky grup e ka bazën në Sri-Lankë, sulmet i ka kryer me ndihmën e një rrjeti ndërkombëtar.

Senaratne tha se të gjithë sulmuesit janë qytetarë të Sri-Lankës. Përndryshe, autoritetet deri tash i kanë arrestuar 24 persona të dyshuar lidhur me tetë sulmet e njëpasnjëshme që lanë 290 të vdekur dhe rreth 500 të plagosur.

Grupi i akuzuar nga ministri është një fraksion i ri islamik në krahasim me grupin “Thableekh Jamaat”, i cili është më pak ekstrem dhe i cili ka ekzistuar në dy dekadat e fundit.

Mediet indiane kanë raportuar se roja bregdetare e këtij shteti është vënë në gjendje të lartë gatishmërie në ngushticën që e ndan Indinë me Sri-Lankën në mënyrë që të parandalohet hyrja e sulmuesve në këtë shtet.

Për më tepër, qeveria australiane u ka bërë thirrje qytetarëve të vet që ta rishqyrtojnë nevojën e udhëtimit në Sri-Lankë dhe të kenë kujdes gjatë qëndrimit në këtë shtet. Ky është shteti i parë që e bën një paralajmërim të tillë për shtetasit e vet.

Shpërthimet e së dielës paraqesin ngjarjen më numrin më të madh të viktimave në Sri-Lankë që nga përfundimi i luftës civile, shkruan “Independent”

(Kosova Sot)