Kapiti: Politika e pushteti janë sistem i kriminalizuar

  • 22 April 2019 - 15:17
Kapiti: Politika e pushteti janë sistem i kriminalizuar

Analisti Skënder Kapiti thotë për “Kosova Sot” se drejtësia, politika e pushteti në Kosovë nuk ndiejnë dhe as nuk pyesin për reagime verbale mediatike, sepse atyre u ka dalë boja dhe turpi dhe nuk mund të flitet për seriozitet e përgjegjshmëri publike, kombëtare, morale e ligjore nga ana e tyre.“Ato nuk pyesin për këto reagime, sepse politika, pushteti e drejtësia në Kosovë janë një sistem simbiotik, krimi, tradhtie, hajnie e korrupsioni.

Pa rënë sistemi politiko-instrumental i padrejtësisë, korrupsionit dhe krimit, i cili është sistemi gjyqësor dhe politika e kriminalizuar nuk do të ketë as demokraci funksionale dhe as shtet ligjor. Armiku i demokracisë dhe i shtetit ligjor është regjimi mafio-oligarkik i pushtetit të politikës së krimit, korrupsionit dhe padrejtësisë. Sistemi i regjimit nuk vetëshembet dhe as nuk vetëdorëzohet po nuk hasi në rezistencë dhe në kundërshti”, theksoi Kapiti.

Sipas tij, në këtë realitet ku ka degraduar politika dhe drejtësia, si dhe në atë gjendje paralize ku kanë rënë shteti e shoqëria civile vetëm një ligj VETTING-u i kontrolluar, monitoruar dhe i drejtuar kryesisht nga SHBA do të bënte të mundur vendosjen e demokracisë, konsolidimin e saj, ngritjen dhe funksionimin e shtetit modern e ligjor në Kosovë. “Vetëm VETTING-u do të mundësonte pastrimin e drejtësisë dhe dekriminalizimin e politikës dhe për rrjedhojë edhe kthimin e shpresës te drejtësia dhe te shteti ligjor e demokratik. Këtë tashmë e kanë të qartë edhe publiku, por edhe ndërkombëtarët.

Dhe, me siguri që SHBA-ja dhe BE-ja patjetër do të ndihmojnë ligjin, drejtësinë, shtetin dhe integrimin e Kosovës. Dhe, kjo ndihmë do të vijë kur SHBA-ja dhe BE-ja do të ndërmarrin dhe me presion demokratik do ta detyrojnë edhe Parlamentin e Kosovës që ta miratojnë VETTING-un , i cili do të ishte jetik për Kosovë, ka theksuar analisti Skënder Kapiti për gazetën “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)