SHBA-ja do t’i sanksionojë të gjitha shtetet që blejnë naftë nga Irani

  • 22 prill 2019 - 16:32
SHBA-ja do t’i sanksionojë të gjitha shtetet që blejnë naftë nga Irani

Administrata e presidentit Trump njoftoi të hënën se të gjitha shtetet që blejnë naftë nga Irani do të jenë subjekt i sanksioneve amerikane.

Përmes një deklarate, Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Trump ka vendosur që të mos i lirojë më nga sanksionet shtetet që importojnë naftë nga Irani. Ky vendim do të fillojë të zbatohet nga muaji maj.

“Vendimi ka për qëllim që ta dërgojë në zero sasinë e naftës së eksportuar nga Irani duke e goditur burimin kryesor të të ardhurave të këtij regjimi”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga sekretarja për medie e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders.

Duke folur në një konferencë për gazetarë të hënën, sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, tha se Shtetet e Bashkuara kanë për qëllim t’ia ndalin fondet regjimit që po e destabilizon Lindjen e Mesme për katër dekada me radhë dhe ta nxisin Iranin që të sillet si një shtet normal.

Pompeo tha se Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë pajtuar që ta ofrojnë një sasi të mjaftueshme të naftës në tregun botëror në mënyrë që të mbulohet dhe të mos vërehet mungesa e naftës iraniane.

Njoftimi për këtë vendim erdhi një vit pasi presidenti Trump i tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja për armët bërthamore me Iranin, shkruan “CNN”.

(Kosova Sot)