Tregon profesori: Ja çka nuk duhet të lejojë Kosova të ndodhë në Berlin

  • 22 April 2019 - 18:24
Tregon profesori: Ja çka nuk duhet të lejojë Kosova të ndodhë në Berlin

Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, është shprehur për gazetën "Kosova Sot" se çështja e ruajtjes se shtetit të Kosovës brenda kufijve të vetë aktualë ka hapur shumë dilema dhe ka krijuar edhe këto vlime në skenën e brendshme dhe të jashtme politike.

Sipas tij, plani për korrigjim të kufijve buron nga grupi politik ruso-francezo-serb e amerikan.

Image
Muhamet Kelmendi

"Këta të përkrahur nga politikanët e vendit si Thaçi dhe Rama kanë dalë në anën e korrigjimit. Po kështu ka forca politike dhe shtete që janë kundër korrigjimit të kufirit Kosovë-Serbi. Këtu bëjnë pjesë Gjermania, Anglia dhe Qeveria e Kosovës. Natyrisht se pa e njohur Kosovën shtet nuk duhet fare të bisedohet për korrigjim, sepse ndikon në shkatërrimin e tërësisë territoriale dhe të shtetit. Në 'Standard' dhe në 'Tagesspiegel' midis tjerave thuhet: "Në Berlin do të marrë fund ndarja e Kosovës".

Sipas Kelmendit, nuk theksohet kërkesa gjermane për Asociacionin serb me kompetenca ekzekutive.

"Asociacioni me kompetenca politike ekonomike, ekzekutive etj., është mënyrë shumë më e dëmshme se ndonjë formë tjetër, në të cilën Ujmani, 'Trepça' dhe Mitrovica mbesin nën sovranitet të Kosovës. Një Kosovë me Asociacion me kompetenca të tilla dhe një Kosovë pa Ujman, Mitrovicë dhe 'Trepçë' nuk është Kosovë. Ajo është deformim dhe shkatërrim edhe i kësaj pjese të vogël të mbetur të Kosovës. Në Berlin nuk duhet lejuar as Asociacionin me kompetenca ekzekutive e juridiko-politike dhe as ndarjen e Kosovës", është shprehur profesor Kelmendi për gazetën "Kosova Sot". MPJ-ja nuk ka kthyer përgjigje lidhur me çështjen e parashtruar.

(Kosova Sot)