Qarri: Thaçi bën pazar me territorin e veriut të Kosovës për ta amnistuar Specialja

  • 22 April 2019 - 19:00
Qarri: Thaçi bën pazar me territorin e veriut të Kosovës për ta amnistuar Specialja

Gazeta gjermane 'Tagesspiegel' ka raportuar se Angela Merkel, më 29 prill, në Berlin dëshiron që të parandalojë idenë e Hashim Thaçit dhe Aleksandar Vuçiqit për shkëmbim të territoreve dhe korrigjim të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. 'Tagesspiel' ndër të tjera thotë se mbështetëse e kësaj ideje për shkëmbim të territoreve është edhe ndërmjetësuesja e dialogut Prishtinë-Beograd, Federica Mogherini, të cilën Merkel nuk e ka njoftuar fare që po e organizon një takim të tillë në Berlin, por vetëm e ka ftuar si spektatore formale.

Siç po e vërteton edhe gazeta gjermane 'Tagesspiegel' , ideja për shkëmbim të territoreve është ide që po shtyhet përpara nga dyshja Thaçi e Vuçiq, ndërsa Angela Merkel është kundërshtarja më e fortë. Gazeta gjermane ka shkruar se pjesë e kësaj ideje është edhe Edi Rama, i cili thuhet se është ftuar në këtë takim në Berlin, bashkë me Vuçiqin dhe Thaçin.

Sipas analistëve të çështjeve politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, qëllimi i kësaj konference në Gjermani, e të cilën Hashim Thaçi në intervistën e tij të fundit te Baton Haxhiu u përpoq ta nënvlerësojë, është që Merkel dëshiron që të tregojë fuqinë dhe ndikimin e saj në Ballkanin Perëndimor. 

"Pasi që kancelarja shumë e respektuar gjermane, zonja Angela Merkel, kohë më parë ka biseduar personalisht edhe me presidentin amerikan, Donald Tramp, për mosndryshimin e kufijve të Kosovës, siç duket porosinë e zonjës Merkel deri diku e ka kuptuar edhe vetë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por jo edhe presidenti kuisling, Hashim Thaçi, i cili me mbështetjen e Frederica Mogherinit, me këmbëngulje, vazhdon të insistojë edhe më tej për ndarjen e Kosovës dhe faljen e veriut të vendit tonë Serbisë. Ndaj, përderisa Gjermania dhe Britania e Madhe nuk duan të ketë ndryshim të kufijve në Ballkan dhe kërkojnë nga Serbia që ta pranojë pavarësinë e Kosovës në kufijtë aktualë, siç raporton edhe gazeta gjermane 'Tagesspiegel', për të parandaluar çmenduritë e Thaçit, në të cilat ai ende insiston, Angela Merkel ka organizuar një takim me 29 prill në Berlin, ku dëshiron ta varrosë përgjithmonë idenë e dyshes sarkastike, Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq, për shkëmbim të territoreve dhe korrigjim të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë!'Tagesspiel' po ashtu thekson se mbështetëse e idesë për shkëmbim të territoreve është edhe ndërmjetësuesja e dialogut Prishtinë-Beograd, rusofilja Federica Mogherini, të cilën zonja Merkel nuk e ka njoftuar fare mbi organizimin e një takimi të tillë në Berlin dhe e ka ftuar atë vetëm si spektatore formale”. 

“Ndaj, siç vërteton edhe gazeta gjermane 'Tagesspiegel', Angela Merkel është kundërshtarja më e fortë e idesë për shkëmbim të territoreve, e cila po shtyhet përpara jo vetëm nga dyshja Thaçi e Vuçiq, por edhe nga bixhozçiu Edi Rama. Gazeta gjermane në fjalë vë në pah se pjesë e kësaj ideje të çmendur është edhe Edi Rama, i cili thuhet se është ftuar në këtë takim në Berlin bashkë me Vuçiqin dhe Thaçin, ku edhe sipas gazetës austriake "Der Standard", e cila i kushtoi një artikull takimit të 29 prillit në Berlin, ideja e shfaqur në opinion qysh në mesin e vitit të kaluar, për korrigjimin e kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të varroset përgjithmonë në kryeqytetin e Gjermanisë, në Berlin. Kështu që, përveç kritikave të ashpra në drejtim të Mogherinit si përkrahëse e idesë për korrigjim të kufijve edhe nga deputeti i Bundestagut gjerman, Johan Uadephul, realisht po dëshmohet në vepër se Gjermania me kancelaren Angela Merkel është ajo që po i mbron kufijtë e Kosovës, pasi që pushtetarët kosovarë në krye me Hashim Thaçin tanimë veç e kanë bërë pazar territorin e veriut të Kosovës për ta amnistuar kuislingun Thaçi nga Specialja", theksoi analisti Gani Qarri për gazetën "Kosova Sot".

(Kosova Sot)