Nuk kanë faj ligjet, por prokurorët dhe gjyqtarët e dirigjuar

  • 23 April 2019 - 07:55
Nuk kanë faj ligjet, por prokurorët dhe gjyqtarët e dirigjuar

Miftari: Pengesë e rezultateve pozitive kundër krimit të organizuar është politika e kapur nga krimi dhe kapja e shtetit nga mafia politike

“VETTING-u pashmangshëm do të vijë dhe do të miratohet edhe në Kosovë, por aktualisht VETTING-un dhe domosdoshmërinë e tij i ka si vizion dhe si program kombëtar pothuajse vetëm gazeta "KOSOVA SOT". Politika dhe politikanët përdorin si maskë dhe si fasadë demokracinë, ndërsa drejtësia përdor si maskë dhe fasadë ligjin dhe drejtësinë. Nën këto maska dhe fasada fshihen dhe mbulohen demagogjia, mashtrimi, krimi dhe korrupsioni i tyre, fshihen hajnia dhe tradhtia shtetërore, publike dhe kombëtare e tyre. Kësaj fasade i ka rënë tashmë boja dhe kanë dalë në pah dhe në dritë shkarravinat dhe mashtrimet publike dhe ndërkombëtare të politikës dhe të drejtësisë kosovare”,thotë analisti Skënder Kapiti për gazetën “Kosova Sot”

Sipas njohësve të fushës së drejtësisë, edhe pse Ministria e Drejtësisë po bën propagandë me gjoja reformën në sistem, askush nuk mashtrohet në këtë drejtim. Ligjet janë të mira, por nuk ka kush t’i zbatojë. Rezultatet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit mungojnë edhe dy dekada pas luftës. E tëra ajo që bëjnë Qeveria dhe mekanizmat e drejtësisë janë kozmetika para bashkësisë ndërkombëtare, për gjoja luftimin e kriminalitetit,thonë analistët.

Image
Hasan Preteni

Preteni: Zbatueshmëria e ligjeve varet nga vullneti, e vullnet nuk ka

Analisti Hasan Preteni vlerëson se ligjet nuk janë pengesë.“Munden ligjet të jenë të dobëta, por kur janë prokurorët e gjyqtarët të mirë, funksionon shteti. E kundërta, ligjet e mira të Kosovës nuk po ka kush t’i zbatojë. Zbatueshmëria varet nga vullneti, e vullnet nuk ka. Klasa politike po i mashtron qytetarët duke u servuar informacione në baza ditore se po i ndryshon ligjet. Po ndryshohen pa kurrfarë ekspertize, vetëm se po i teket dikujt. Po gjejnë fonde, po organizojnë tryeza e punëtori tjera vetëm e vetëm për të shpenzuar lekë dhe për të fituar në kohë. Ligjet janë të mira, institucionet janë të kompletuara, po çalon faktori njeri”, theksoi Preteni për “Kosova Sot”.

Image
Riza Smaka

Korniza defektoze

Analisti Riza Smaka thotë se “korniza ligjore në vendin tonë nuk është tërësisht e harmonizuar as e sanksionuar, sikundër e kërkojnë postulatet bashkëkohore e vendore. Ndërkaq , aktet ligjore në fuqi po të aplikoheshin me përkushtim do të kontribuohej dukshëm në favorin e krijimit dhe realizimit të shtetit të së drejtës. Në jurisprudence njihet e admirohet parimi "Dura Lex Sed Lex", sipas të cilit edhe ligji defektoz nëse aplikohet është ligj i mirë. Se andejmi aktet ligjore në fuqi në vendin tonë, ato çfarë janë po të aplikoheshin do të rezultonin të mira”. Sipas Smakës, “gjithsesi institucioneve të judikaturës, sikundër edhe të administratës publike, u takon që në proces të zbatimit të aktive ligjore t’i identifikojnë mangësitë e tyre dhe në procedurë legjislative t’i amendojnë, përmirësojnë, modifikojnë”.

Image
Skënder Kapiti

Kapiti: Drejtësia përdor si maskë dhe fasadë ligjin dhe drejtësinë.

Analisti Skënder Kapiti theksoi se ligji, i cili pengon gjyqtarët dhe prokurorët në Kosovë për të ndëshkuar krimin e organizuar dhe korrupsionin janë korrupsioni, antiligji dhe morali i korruptuar i tyre dhe i politikës antipublike dhe antishtet, secilës ata i shërbejnë. “Politika dhe politikanët përdorin si maskë dhe si fasadë demokracinë, ndërsa drejtësia përdor si maskë dhe fasadë ligjin dhe drejtësinë. Nën këto maska dhe fasada fshihen dhe mbulohen demagogjia, mashtrimi, krimi dhe korrupsioni i tyre, fshihen hajnia dhe tradhtia shtetërore, publike dhe kombëtare e tyre. Kësaj fasade i ka rënë tashmë boja dhe kanë dalë në pah dhe në dritë shkarravinat dhe mashtrimet publike dhe ndërkombëtare të politikës dhe të drejtësisë kosovare”, u shpreh ai.

“Këto njolla dhe shkarravina mashtrimesh e gënjeshtrash nuk munden më që t'i mbulojnë keqbërësit dhe as"profesorët" politikë e juridikë të krimit, korrupsionit, të hajnisë dhe të tradhtisë. Se çfarë kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë politika dhe drejtësia si në Shqipëri dhe në Kosovë tashmë dihet si nga opinioni kombëtar shqiptar ashtu edhe nga ai ndërkombëtar dhe për pasojë edhe ndëshkimi i politikës dhe i drejtësisë së kriminalizuar e të korruptuar do t'i vijë fundi, sepse me kastë politike dhe me ketë drejtësi nuk pajtohen as SHBA-ja dhe as BE-ja”, potencoi Kapiti për “Kosova Sot”.

“VETTING-u pashmangshëm do të vijë dhe do të miratohet edhe në Kosovë, por aktualisht VETTING-un dhe domosdoshmërinë e tij i ka si vizion dhe si program kombëtar pothuajse vetëm gazeta "KOSOVA SOT". Prandaj, duhet të angazhohet shoqëria kosovare, duke e kërkuar atë, duhet shoqëria që të kërkojë edhe ndihmën nga SHBA-ja dhe BE-ja që ato të ndihmojnë ligjin, drejtësinë, demokracinë dhe integrimin e Kosovës. Dhe këto realizohen vetëm përmes VETTING-ut”, ka vlerësuar Kapiti.

Image
Naim Miftari

Miftari: Politika mafioze

“Pengesë e rezultateve pozitive kundër krimit të organizuar është politika e kapur nga krimi dhe kapja e shtetit nga mafia politike, e cila kontrollon organet e ligjit që i ka mbushur me njerëz kukulla servilë të tyre dhe frikë nga këto organe të ligjit sot ka vetëm qytetari i Kosovës, i cili kërkon drejtësi dhe korrektësi. Sot ligji dhe drejtësia e Kosovës janë vetëm letër apo leckë kur vjen në pyetje dënimi i kriminelëve”, tha Naim Miftari për “Kosova Sot”.

Image
Gent Gjini

Kamuflimet ligjore

Avokati Gent Gjini thekson se ligjet të cilat janë në fuqi këtu, si Kodi Penal dhe Kodi i Procedurës Penale, janë të mjaftueshme dhe përmbushin nevojat që prokurorët dhe gjyqtarët të kenë hapësirën adekuatë juridike, për ndjekjen dhe ndëshkimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. “Ndryshimet e reja që janë bërë në ligje nga sponsoruesit e saj nuk janë diç tjetër veçse të kamuflohet se tani me ndryshimet e reja në ligj ne e kemi gjetur vullnetin, apo ”çelësin magjik” për ta luftuar korrupsionin e shfrenuar.

Unë në punën time si avokat duke punuar me këto ligje, të njëjtat i vlerësoj më të mira dhe më përmbajtjesore, duke konsideruar se nuk kemi pasur nevojë që tani të shtohen ligje të reja, për qëllime “politike” e kozmetike. Po ashtu paralelisht me këto “kozmetika” kamufluese mund t’i quajë edhe fenomenet në ndryshimet në kreun e institucioneve të drejtësisë, duke u larguar ai i deritanishmi na vjen një person i ri dhe me këtë do ndryshohet gjendja se ku jemi katandisur me korrupsion të pakontrolluar dhe me punësime familjare dhe me gjyqtarë e prokurorë të zgjedhur në baza politike e klanore etj”, shpjegon ai.

“Sa i përket ligjeve tona, duke i vlerësuar të njëjtat si të plota dhe përmbajtjesore, është pikërisht mungesa e vullnetit dhe aftësimi profesional i vet prokurorëve dhe gjyqtarëve, për ta zbatuar në mënyrë të plotë ligjin, e jo për ta shtrembëruar atë në formë të llastikut, ndryshe për të fortin - ndryshe për të dobëtin”, ka potencuar më tej Gjini për “Kosova Sot”. Sipas tij, problemi nuk është te ligjet, por te zbatuesit e tyre.

(Kosova Sot)