Gjini: Kamuflimet ligjore

  • 23 April 2019 - 14:18
Gjini: Kamuflimet ligjore

Avokati Gent Gjini thekson se ligjet të cilat janë në fuqi këtu, si Kodi Penal dhe Kodi i Procedurës Penale, janë të mjaftueshme dhe përmbushin nevojat që prokurorët dhe gjyqtarët të kenë hapësirën adekuatë juridike, për ndjekjen dhe ndëshkimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. “Ndryshimet e reja që janë bërë në ligje nga sponsoruesit e saj nuk janë diç tjetër veçse të kamuflohet se tani me ndryshimet e reja në ligj ne e kemi gjetur vullnetin, apo ”çelësin magjik” për ta luftuar korrupsionin e shfrenuar.

Unë në punën time si avokat duke punuar me këto ligje, të njëjtat i vlerësoj më të mira dhe më përmbajtjesore, duke konsideruar se nuk kemi pasur nevojë që tani të shtohen ligje të reja, për qëllime “politike” e kozmetike. Po ashtu paralelisht me këto “kozmetika” kamufluese mund t’i quajë edhe fenomenet në ndryshimet në kreun e institucioneve të drejtësisë, duke u larguar ai i deritanishmi na vjen një person i ri dhe me këtë do ndryshohet gjendja se ku jemi katandisur me korrupsion të pakontrolluar dhe me punësime familjare dhe me gjyqtarë e prokurorë të zgjedhur në baza politike e klanore etj”, shpjegon ai.

“Sa i përket ligjeve tona, duke i vlerësuar të njëjtat si të plota dhe përmbajtjesore, është pikërisht mungesa e vullnetit dhe aftësimi profesional i vet prokurorëve dhe gjyqtarëve, për ta zbatuar në mënyrë të plotë ligjin, e jo për ta shtrembëruar atë në formë të llastikut, ndryshe për të fortin - ndryshe për të dobëtin”, ka potencuar më tej Gjini për “Kosova Sot”. Sipas tij, problemi nuk është te ligjet, por te zbatuesit e tyre.

(Kosova Sot)