Flet nëna e punëtorit që vdiq nga shembja e hotelit: Unë e përcolla për punë, paguhej 10 euro

  • 23 April 2019 - 14:26
Flet nëna e punëtorit që vdiq nga shembja e hotelit: Unë e përcolla për punë, paguhej 10 euro

Të hënën në Mitrovicë nga shembja e një pjese të objektit të hotelit Adriatiku, mbeti i vdekur Visar Behrami, 27-vjeëar. Nëna e Visarit ka treguar momentin e fundit kur u nda me djalin e saj.

Azemine Behrami, nëna e Visarit ka thënë se kanë shpresuar se do ta gjejnë të gjallë djalin e saj.

“Visari dje ka shku n’punë, unë e kam përcjellë, më ka thanë ditën e mirë. Kah ora 8 e akshamit tu i kqyrë lajmet ndodhi qajo, sigurt nuk dishim që ai. Kur thanë njo osht metë mrena n’dhe, kanë shku te tanë atje deri kah 12, e kanë gjetë, majshim shpresë që është i gjallë. Kush e ka kujtu dekën e tij. I gjallë shkoi në punë, i dekt më erdh”, thotë Azeminja.

Azeminja thotë se djali i saj ka punuar për 10 euro në ditë, ndërkaq shton se nuk ka pasur sigurim shëndetësor.

“Nuk ka pasë sigurim shëndetësor, ka 10 euro e ka pagu, as sigurim as kurgjo s’ka pasë. U ankojke se nuk i pagujke qysh duhet, ai i bekumi (Visari) e ka marrë hilltin me punu, i kanë ra plloqat nuk ka mujt me ikë”, ka thënë Azeminja.

Kërkimet për gjetjen dhe nxjerrjen e turpit të tij zgjatën disa orë. Për këtë u angazhuan edhe pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Nënkryetari i Komunës Jugore të Mitrovicës, Faruk Mujka, ka thënë se është themeluar një komision për verifikimin e gjendjes në terren, pas vdekjes së të riut nga Mitrovica nën gërmadhat e hotelit të shembur “Adriatik”.

Ky komision, sipas nënkryetarit të Komunës, do t’ia dorëzojë një raport organeve të rendit.

“Ne sot herët e kemi themeluar një komision nga zyrtarët e Drejtorisë se Urbanizmit, Inspeksionit dhe Emergjencave të cilët duhet ta verifikojnë gjendjen faktike në terren sot dhe pastaj të dalin me konkluzion se cilët hapa duhet të ndërmarr komuna e Mitrovicës, dhe pastaj ky raport do t`i përcillet edhe prokurorisë, policisë”, ka thënë Mujka.

Sipas tij, objekti i shembur dje ku humbi jetën një punëtor nën gërmadha, nuk ka pasur leje për të kryer kurrfarë punimesh brenda dhe jashtë tij.              

“Ne dje në mënyrë jozyrtare kemi marrë vesh se punimet kanë filluar të dielën dhe të hënën gjatë ditëve të pushimit. Nuk ka asnjë kërkesë apo leje në Drejtorin e Urbanizmit. Ju e dini që pa marr parasysh a është pronë private apo jo, duhet të pajiset me leje. Asnjë kërkesë nuk ka as nga punëdhënësi as nga punëkryesi tani kjo çështje i takon prokurorisë dhe policisë”, ka shtuar ai.

(Kosova Sot)