ISIS-i merr përgjegjësinë për shpërthimet në Sri-Lankë

  • 23 April 2019 - 14:49
ISIS-i merr përgjegjësinë për shpërthimet në Sri-Lankë

I ashtuquajturi Shteti Islamik e ka marrë përgjegjësinë për shpërthimet e bombave në Sri-Lankë, me ç’rast u vranë më shumë se 300 njerëz.

Grupi terrorist nuk ka dhënë ndonjë dëshmi për këtë marrje të përgjegjësisë dhe në vitet e fundit e ka marrë përgjegjësinë në mënyrë të rrejshme për disa sulme, të cilat në të vërtetë nuk janë kryer nga ta. Sidoqoftë, ekspertët kanë thënë se shpërthimet vetëvrasëse në tri kisha dhe tri hotele luksoze janë sulme tipike të këtij grupi.

Më herët, ministri i mbrojtjes i Sri-Lankës, Ruwan Wijewardene, tha se këto sulme u kryen në shenjë hakmarrjeje ndaj sulmit masiv ndaj besimtarëve myslimanë në Zelandë të Re. “Hetimet preliminare dëshmojnë se ajo që ndodhi në Sri-Lankë është e lidhur me sulmin kundër myslimanëve në Zelandë të Re”, tha ministri gjatë një seance të jashtëzakonshme të parlamentit.

Hulumtuesit e terrorizmit kanë thënë se natyra e sofistikuar e sulmeve dhe pajisjeve të përdorura kërkon disa muaj përgatitje, përfshirë rekrutimin e njerëzve që do ta hedhin veten në erë dhe blerjen e mjeteve shpërthyese.

Një zyrtar i Sri-Lankës tha se luftëtarët e këtij vendi që kanë luftuar më parë në Siri dhe Irak mund të kenë shërbyer si urë lidhëse mes ISIS-it dhe terroristëve brenda shtetit.

Ministri i mbrojtjes i njoftoi deputetët të martën se numri i viktimave të shpërthimeve ka shkuar në 321, përfshirë 38 të huaj. Ai përsëriti se kryeministri nuk ka qenë paraprakisht në dijeni për këto sulme, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot)