Donald Trump do ta vizitojë Britaninë e Madhe më 3 qershor

  • 23 April 2019 - 15:21
Donald Trump do ta vizitojë Britaninë e Madhe më 3 qershor

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, do ta realizojë një vizitë treditore në Mbretërinë e Bashkuar më 3 deri 5 qershor të këtij viti. Lajmin e bëri të ditur Pallati Mbretëror i Britanisë së Madhe.

Presidenti Trump dhe zonja e parë, Melania Trump, do të jenë mysafirë të mbretëreshës britanike dhe do të marrin pjesë në një ceremoni në Portsmouth për ta shënuar 75-vjetorin e Ditës D. Presidenti amerikan do të takohet edhe me kryeministren britanike, Theresa May.

Herën e kaluar ai ishte takuar me mbretëreshën në kështjellën Windsor në korrik të vitit 2018 gjatë një vizite pune. Ai kishte zhvilluar bisedime edhe me kryeministren dhe më pas kishte shkuar në Skoci, ku posedon një fushë të golfit.

Zonja May tha se vizita shtetërore e qershorit do të jetë një mundësi e mirë për t’i forcuar marrëdhëniet edhe ashtu të mira në fushat si tregtia, investimet, siguria dhe mbrojtja dhe për të diskutuar për thellimin e këtyre lidhjeve në të ardhmen.

Në anën tjetër, Shtëpia e Bardhë tha se kjo vizitë do t’i vërtetojë marrëdhëniet e vjetra dhe të veçanta mes Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe. 

Në ceremoninë e Portsmuthit janë ftuar edhe përfaqësues të lartë të shteteve tjera, përfshirë Kanadanë, Francën, Gjermaninë, Australinë, Belgjikën, Norvegjinë, Poloninë, Zelandën e Re, Danimarkën, Holandën, Greqinë dhe Sllovakinë.

Pas Britanisë së Madhe, presidenti amerikan do ta vizitojë edhe Francën, shkruan “BBC”.

(Kosova Sot)