Sqarim ndaj pretendimeve të VV’së: Kryeprokurori i Shtetit nga buxheti i shtetit e merr vetëm një rrogë

  • 23 April 2019 - 15:45
Sqarim ndaj pretendimeve të VV’së: Kryeprokurori i Shtetit nga buxheti i shtetit e merr vetëm një rrogë

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka sqaruar përmes një njoftimi se pretendimet e Vetëvendosjes se Kryeprokurori i Shtetit i merr shtatë rroga, janë konstatime të pavërteta dhe tentencioze.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit  kanë thënë se njoftimi zyrtar i subjektit politik “Vetëvendosje” për mbajtjen e protestës para objektit të Prokurorisë së Shtetit, ku ndër të tjera thuhet se “…i merr shtatë rroga”, duke iu referuar Kryeprokurorit të Shtetit është një konstatim i pavërtetë, tendencioz dhe propagandues që kanë për qëllim dëmtimin e autoritetit dhe prestigjit të Kryeprokurorit të Shtetit.

“Njoftojmë opinionin publik se, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, si funksion primar e ushtron vetëm pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, ndërsa, sipas ligjeve në fuqi, përveç pozitës primare, Kryeprokurori i Shtetit “ex officio” sipas detyrës zyrtare, e ka për obligim të jetë i angazhuar edhe si anëtar i bordeve institucionale të fushës së drejtësisë dhe sigurisë, përkatësisht mekanizmave që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit. Andaj, Kryeprokurori i Shtetit nga buxheti i shtetit e merr vetëm një rrogë.”, thuhet në njoftimin e tyre.

(Kosova Sot)