E zbulon skenarin: Ky është pazari i Shpend Ahmetit me Thaçin e Haradinajn

  • 23 April 2019 - 16:31
E zbulon skenarin: Ky është pazari i Shpend Ahmetit me Thaçin e Haradinajn

Kur Ramush Haradinaj kishte qenë pranë rrëzimit nga pushteti, atë e shpëtoi Shpend Ahmeti me votat e partisë së tij. Partia Socialdemokrate paraqiti 'pesë kushte' për Qeverinë Haradinaj që ia vazhdoi jetëgjatësinë duke bërë pazare me qeverinë dhe koalicionin PAN. Si ‘kusht’ PSD kishte vendosur miratimin e Ligjit për Qeverinë në mënyrë që të mos ketë më shumë dy Zëvendësministra për ministri. Por një ligj i tillë deri më tani nuk është miratuar. 

E analistët politikë këtë e shohin si një mashtrim të radhës nga Shpend Ahmeti dhe partia e tij të cilët janë shndërruar në vegla të Hashim Thaçit dhe Ramush Haradinajt. Sipas tyre, kjo dëshmon qartë se edhe 'kushtet' tjera ishin vetëm një skenar apo më mirë thënë PAZAR, pasi PSD u bë pjesë e pushtetit dhe po e përdor shantazhin ndaj Haradinajt për përfitime personale dhe rehatimin e militanteve te saj. 

Image
Nexhat Haziri

“Kushtet e grupit të deputetëve “Devollist” të të ashtuquajturës PSD, për PAN-in, në mënyrë që këtij koalicioni t’ia zgjatë jetën ishin dhe mbetën vetëm një mashtrim i Shpend Ahmetit dhe grupit të tij të deputetëve që uzurpuan mandatet e VV-së në kuvendin e Kosovës. Përmes këtyre ‘kushteve’’ ata tentuan ta fshehin pazarin që kishin me koalicionin PAN, për interesa e tyre klanore dhe biznesore”, thotë analisti politik, Nexhat Haziri.

Sipas tij, ky grup nuk është asgjë më shumë se sa një grup interesi i shndërruar në një patericë të të Hashim Thaçit dhe Ramush Haradinajt. 

“Jo vetëm ligjii qeverisë që parasheh zvogëlim të numrit të z/ministrave, por as edhe kushtet e tjera gjoja të vëna nga grupi i “Devollistëve” për koalicionin PAN, nuk janë marrë parasysh dhe as që janë realizuar, duke e nxjerrë lakuriq në opinion se ky grup nuk është asgjë më shumë se sa një grup interesi i shndërruar në një patericë të të Hashim Thaçit dhe Ramush Haradinajt. Po ashtu edhe sondazhet e bëra në vazhdimësi të cilat grupin “Devollistëve” që e kryeson Shpend Ahmeti po e nxjerrin nën 2 % sa i përket përkrahjes në opinion, ka bërë që Shpend Ahmeti, në heshtje të tërhiqet nga këto “kushte” dhe ta vazhdojë ‘’bashkëjetesën’’ me PAN-in që atij dhe grupit që ai e përfaqëson i sjellin përfitime jo të vogla. Në fund të fundit, ky grupim I krijuar dhe financuar nga oligarkët “Devolli” nuk ka synim tjetër, përveç mbajtjes me çdo kusht të koalicionit PAN në pushtet”, është shprehur për gazetën “Kosova Sot”, analisti politik, Nexhat Haziri.

(Kosova Sot)