Kush është ish-polici i përfshirë në grabitjen e Rinasit

  • 23 April 2019 - 17:09
Kush është ish-polici i përfshirë në grabitjen e Rinasit

Mariglen Hoxha është ish-efektivi i policisë që është shpallur në kërkim për grabitjen e ndodhur në 9 prill në Rinas. Ai dyshohet se ka qenë pjesë e grabitjes së bashku me Admir Muratajn dhe Olsjan Veselin. I pari mbeti i vrarë në rrethana të paqarta ndonëse pati shkëmbim zjarri mes tij dhe FNSH-së gjatë ndjekjes së furgonit me mbishkrimin “Hetimi Tatimor” pranë lumit të Tërkuzës, ndërsa i dyti u arrestua një ditë më parë. Murataj dhe Veseli u fotografuan në pistën e Rinasit në momentin e grabitjes, teksa ngarkonin thasët me para në furgonin e modifikuar.

Nga ana tjetër disa persona të tjerë janë shpallur në kërkim, mes tyre dhe Klement Çala, i cili akuzohet edhe për grabitje të mëparshme në Rinas. I pari që doli para gjykatës sot ishte Alkond Bengasi, i cili pranoi që të jetë bashkëpunëtor i drejtësisë, duke treguar mënyrën sesi funksiononte grupi kriminal. Tre të arrestuarit e tjerë do njihen me masën e sigurisë ditën e nesërme, ndërkohë që përpara se t’u priteshin fletet e arrestit, ata janë mbajtur te shoqëruar për dy ditë rresht në polici.

Prokuroria dyshon se i kërkuari Eldi Çela, vëllai i Klement Çalës kishte marrë me qera një servis në qytetin e Elbasanit, në të cilin ishte modifikuar furgoni që hyri në aeroport. I dyshuari tjetër Oltion Veseli është kushëriri i Ernest Kupës, i dënuar nga gjykata për grabitjen e armatosur të blindave përgjatë aksit Tiranë-Rinas, edhe dy të rinjtë e tjerë njihen si krahu i Klement Çalës, njeriut që po sfidon autoritetet e gjithashtu njeriut të shumë kërkuar edhe nga Greqia, pas arratisjes se bashku me 7 shqiptarë të tjerë mes të cilëve ishte edhe Admir Murataj.

(Kosova Sot)