Hoxhaj: Falë gjakut të Tivarit Kosova është e lirë dhe e pavarur

  • 23 April 2019 - 17:26
Hoxhaj: Falë gjakut të Tivarit Kosova është e lirë dhe e pavarur

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka marrë pjesë në akademinë përkujtimore për Masakrën e Tivarit, e cila u mbajt sot në Bibliotekën Kombëtare.

Hoxhaj tha se masakra e Tivarit është një nga historitë më të përgjakshme dhe të dhimbshme të fund luftës së Dytë Botërore për shqiptarët dhe në veçanti për Kosovën duke e shndërruar në një nga masakrat me përmasa ballanike.

Ai tha se kjo ngjarje është edhe një nga historitë më të turpshme të udhëheqësve politikë të komunistëve jugosllavë dhe shqiptarë.

“Ka pasur edhe qëndrime të tilla se ekzekutuesit e atyre burrave trima shqiptarë janë dënuar më vonë, por ai kalvar dhe ajo masakër e madhe nuk mund të bëhej pa projektimin dhe ekzekutimin e udhëheqësve të lartë politikë të Jugosllavisë që u ndihmua edhe nga ajo komuniste e Shqipërisë. Pra nga hapja e arkivave dhe rrëfimi i të mbijetuarve, del se ka pasur një bashkëpunim të drejtpërdrejt të dy pushteteve komuniste në Shqipëri dhe Jugosllavi për ti quar drejt vdekjes në Tivar shqiptarët trima të Kosovës”, ka deklaruar Hoxhaj.

Debati i kohëve të fundit lidhur me mohimin e krimeve të kryera gjatë kohës së luftës në Kosovë, tregon një vazhdimësi të politikave të mëhershme që edhe sot ndiqen nga Serbia, tha Hoxhaj, duke shtuar se kjo qasje duket që është mësimi që është ligjëruar në vazhdimësi në shkollat dhe kuzhinat politike serbe.

“Por falë gjakut të martirëve të Tivarit, dhe shumë shqiptarëve në luftën e fundit dhe përgjatë historisë, Kosova është e lirë dhe e pavarur. Tani, ne jemi shtet që kemi ditur të mbrojmë interesat tona dhe do të sanksionojmë çdo mohim të krimeve. Ne jemi shtet i pavarur dhe kemi vetëdijen shtetërore e kombëtare për të kërkuar përgjegjësi deri në fund, përfshirë edhe për Masakrën e Tivarit dhe çdo krim tjetër përgjatë historisë që është bërë kundër shqiptarëve dhe Kosovës. Është për keqardhje që as pas 74 vitesh, askush nuk ka marrë përgjegjësi në Kosovë, Shqipëri, Serbi në Mal të Zi gjatë pesë dekadave të pushteteve komuniste në këto shtete”, përfundoi Hoxhaj.

(Kosova Sot)