Flet babai i gruas së kthyer nga ISIS: Vajzën e kam në depresion, dihet çka është bërë atje

  • 23 prill 2019 - 18:39
Flet babai i gruas së kthyer nga ISIS: Vajzën e kam në depresion, dihet çka është bërë atje

Qëndrimi për tre vite e gjysmë në zonat e konfliktit të Shtetit Islamik (IS) ka bërë që Agnesa Zuzaku të kthehet në gjendje të rëndë shëndetësore e psikike në Kosovë. Ajo familjes së saj iu bashkua të hënën pasi javën që shkoi u soll në Kosovë  në mënyrë të organizuar me një aeroplan të ushtrisë amerikane bashkë me dhjetëra persona të tjerë, po ashtu pjesëmarrës në zonat e konfliktit në Siri.

Për dy ditë Agnesa bashkë me vajzën e djalin e saj, qëndruan në Qendrën e Azil-Kërkuesve në Vranidoll, pak kilometra larg Prishtinës. Të hënën ata u kthyen për në shtëpitë e tyre.

Gjatë ditës së martë ka qëndruar në fshatin Verbicë të Kamenicës. Aty ka biseduar me familjarë të Agnesës. Ata kanë treguar se vajza e tyre ka pësuar trauma si pasojë e qëndrimit në zonat e konfliktit.

“Vajza është shumë e lodhur, e ligësht. Është në depresion. Dihet se çka është ba atje”, ka rrëfyer, babai i Agnesës.

Ai ka shpjeguar se e bija e tij, iu kthye në shtëpi bashkë me vajzën e djalin e saj. Njëri 5 vite e gjysmë e tjetra 3 vite. Sipas tij, gjendja shëndetësore e fëmijëve është stabile.

Por, historia e dhimbshme për Agnesën nuk ka përfunduar ende. Asaj në Siri i ka vdekur edhe një fëmijë.

“Fëmija janë mirë. Tashmë janë me nënën e tyre. Diku rreth katër vite kanë qëndrua atje. Një vajzë i ka vdekë më herët atje. I ka edhe dy fëmijë të tjerë. Ata tashmë janë mirë”, tregon tutje për gjendjen shëndetësore të Agnesës, prindi i saj.

E, Agnesa bashkë me dhjetë gra të tjera, gjatë pasdites të së hënës janë paraqitur në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Prishtinë. Aton në prani të avokatëve kanë mbajtur seancën e parë dëgjimore pas kthimit nga Siria.

“Sot siç është e paraparë sipas kodit të procedurës penale hetuesit na kanë njoftuar se sot do të mbahet seanca dëgjimore për gratë qe janë kthyer nga Siria javën që e lamë pas. Sa kuptova nga hetuesit sot janë 11 gra qe do të hyjnë në seancën dëgjimore”,  avokatja Fehmije Gashi Bytyqi, palë mbrojtëse e njërës nga të kthyerat nga Siria.

Dy fëmijë të mbetur jetim në Siri të premten u kthyen në Kamenicë

Ndërkohë nga zonat e konfliktit të Sirisë për në Kosovë tashmë janë kthyer edhe dy nipërit e Lulzim Kastratit nga fshati Karaçevë i komunës së Kamenicës.

Dy nipërit e Lulzimit njëri 5 e tjetri 3 vjeç kanë mbetur jetim pasi që Filloreta si dhe bashkëshorti i saj, të dy kanë mbetur të vdekur në kampet e luftës.

E fëmijët tashmë gjenden në shtëpinë e babit të tyre diku në një fshat të Kamenicës.

Sipas familjarëve ata janë mirë.

“Fëmijët na kanë ardhur. Këtu në shtëpi janë. Mirë janë me shëndet. Po mundohen me u ambientua me rrethin këtu. Pasiqë dihet se çka kanë përjetuar ata atje”, deklarohet Lulzimi, gjyshi i fëmijëve.

Kujtojmë se 110 persona qytetarë të Kosovës, të cilët ishin në zonat e konfliktit në Siri u kthyen në Kosovë. Kthimi i tyre u bë në mesnatën e së premtes nga Turqia me një aeroplan që mbante flamurin amerikan.

Qytetarët e kthyer janë gra dhe fëmijë të luftëtarëve shqiptarë që ishin të përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme përkrah IS-it.

Në mesin e të kthyerve ishin edhe katër ish-luftëtarë të IS-it.

Ndërkohë në zonën e konfliktit ende kanë mbetur rreth 30 luftëtarë, 49 gra dhe 8 fëmijë.

(Kosova Sot)