Qarri: Kosova është shndërruar në shtet të korrupsionit e të krimit të organizuar!

  • 23 April 2019 - 19:37
Qarri: Kosova është shndërruar në shtet të korrupsionit e të krimit të organizuar!

Edhe analisti Gani Qarri tha për "Kosova Sot" se vetëm në një shtet ku nuk funksionojnë ligjet e Kushtetuta ndodhin abuzime të tilla.

"Mjerisht Kosova është shndërruar në një shtet të tillë të korrupsionit e të krimit të organizuar, saqë nëntoka kriminale në vend po gjen të gjitha mënyrat për të zhvatur e vjedhur buxhetin, për të marrë monopole kriminale, por edhe tituj "konsuj nderi" tek shtetet fqinje, tituj që me të drejtë dyshohet se janë blerë nga mafio-oligarkët në Kosovë. Madje titujt "konsuj nderi" po keqpërdoren nga oligarkët kosovare, pikërisht për të dëmtuar edhe më rëndë buxhetin e shtetit të brishtë të Kosovës", theksoi Qarri për Kosova Sot.

Sipas tij, prokuroria nuk do të duhej bërë gjumin aq gjatë dhe për të mos vepruar në një rast të tillë të raportuar edhe në medie.

"Për aq më tepër kur qysh 4 vite më parë gazeta 'Kosova Sot' pati raportuar se si Shkëlqim Devolli, pronar i "Devolli Corporation", kishte importuar në vlerë 155 mijë euro, në vitin 2014, i liruar nga tatimi mbi vlerën e shtuar, duke mashtruar se ky import bëhej për përfaqësues diplomatikë dhe thirrur në titullin "Konsull Nderi i Maqedonisë" në Pejë?! Por, përkundër të gjithave, Prokuroria Speciale edhe pse kanë kaluar 5 vite nga ky abuzim, e që nuk është i vetmi, as që ka denjuar të hetojë apo të hapë rastin për shkeljet ligjore, megjithëse biznesi i Shkëlqim Devollit nuk pagoi TVSH, duke mashtruar se ky import është kinse për përfaqësues diplomatikë dhe fsheh vlerën e gjithë mallit që ai ka futur në Kosovë. Prokuroria duhet ta sqarojë opinionin se sa miliona euro ka evazion fiskal nga kompanitë e Shkëlqim Devollit dhe të gjithë konsujve të tjerë në Kosovë, të cilët kanë blerë këta tituj për ta çnderuar vendin dhe plaçkiti shtetin duke i ikur tatimit në Kosovë, kur dihet se për çudi, status si të Shkëlqim Devollit ka pasur edhe i vëllai i tij, Blerim Devolli, si Konsull Nderi i Shqipërisë në Pejë, por edhe Rrahim Pacolli dhe disa oligarkë të tjerë", vijoi më tej ai.

Sipas Qarrit, abuzimet e tilla nuk po zbardhen pasi prokuroria është e dobët dhe e ndikuar nga politika.

"Po kjo prokurori e lodhtë dhe tërësisht e kapur nga politika, kurrë nuk ka dalë me ndonjë raport se cilat janë përfitimet biznesore nga statusi diplomatik që e kanë mbajtur këta oligarkë dhe sa është dëmi që buxheti i Kosovës ka pësuar nga këto mashtrime me konsuj nderi, e për aq më keq as Dogana nuk e bën publike sasinë e importeve pa tatim, që kanë sjellë në Kosovë vëllezërit Devolli me kompanitë e tyre, si dhe konsujt e tjerë të ashtuquajtur KONSUJ NDERI, duke e keqpërdorur titullin Konsull Nderi dhe duke bërë evazion të tmerrshëm fiskal", tha Qarri për "Kosova Sot".

Pyetjet lidhur me këtë çështje, për këto pohime dhe konstatime, u janë dërguar edhe vëllezërve Shkëlqim dhe Blerim Devolli, edhe Prokurorisë Speciale të Kosovës, por asnjë përgjigje apo koment, qoftë nga njëra apo pala tjetër, nuk i është dërguar gazetës.

(Kosova Sot)