Ligjin e bën mafio-oligarkia, gjykatat e prokuroritë me duar të lidhura

  • 24 April 2019 - 07:56
Ligjin e bën mafio-oligarkia, gjykatat e prokuroritë me duar të lidhura

Miftari: Jo vetëm drejtësia, por fatkeqësisht e ardhmja e këtij vendi po sfidohet nga krimi e korrupsioni, ngase ky është një shtet i kapur në të gjitha institucionet e tij

“Drejtësia dhe shteti ligjor janë sfiduar dhe janë kapur nga mafio-oligarkia korruptivo-kriminale politike e juridike. Kjo kastë nuk përgjigjet para ligjit, sepse vetë kjo mafio-oligarki janë ligji dhe pushteti. Kjo kastë nuk i jep askujt llogari, sepse i ka pushtetin dhe ligjin në dorë dhe me ta ka edhe atributin vetëm për të kërkuar e për të ndëshkuar të tjerët. Kjo kastë ka të drejtën për të gjobitur, vjedhur e grabitur pasuri, paranë publike, ka pushtet dhe autoritet”, thotë për “Kosova Sot” analisti Skënder Kapiti

Njohësit e fushës së drejtësisë alarmojnë se Prokuroria Speciale vazhdon të mos veprojë, me gjithë faktet se në baza ditore po ndodhin krime, korrupsion, abuzime milionëshe, hajni të pafundme të pasurisë publike, monopole kriminale, shkelje të ligjeve dhe Kushtetutës nga zyrtarët e lartë në institucionet qendrore dhe komunale, shitja e lejeve ndërtimore, e shumë krime të tjera, prej së cilave janë pasuruar “peshqit e mëdhenj” në politikë dhe mafio-oligarkët që punojnë për ta në ortakëri të fshehtë.

Sipas analistëve, deri më sot nuk kemi as edhe një rast të nivelit të lartë të ketë aktakuzë të fortë, për të sjellë para përgjegjësisë këta politikanë të kalibrit të lartë të instaluar në majat e shtetit dhe që pas përballjes me drejtësinë të dënohen sipas ligjeve në fuqi. Analistët pyesin se pse nuk kërkohet përgjegjësi nga gjykatat dhe Prokuroria Speciale e Kosovës, pse pikërisht pushtetarët e lartë, zyrtarët e lidhur me ta e mafio-oligarkët që janë pjesë e nëntokës kriminale në Kosovë nuk denjojnë t’i dënojnë. Sipas analistëve, edhe nëse kanë ndonjë rast jo të nivelit shumë të lartë, këta prokurorë të kapur nga politika vetëm i lirojnë në fund si të pafajshëm, apo japin dënime me kusht. Ata vlerësojnë për gazetën se ky sistem i drejtësisë është një sistem tepër i kalbur nga krimi dhe korrupsioni dhe nuk ka shans të rikuperohet kurrsesi, përveçse të vetëpastrohen me VETTING. Ndërkohë edhe pse i janë dërguar pyetjet, Prokuroria Speciale ka heshtur sërish, duke mos dhënë asnjë deklaratë për gazetën.

Image
Skender Kapiti

VETTING-u, zgjidhja e vetme

Analisti Skënder Kapiti thekson se popujt kanë luftuar për shtetin kombëtar të pavarur, pasi shteti kombëtar realizon liritë dhe të drejtat kombëtare, qytetare, pronësore, juridike e sociale të shtetasve të vet. “Pas shumë e shumë përpjekjesh ketë e realizoi edhe populli shqiptar i Kosovës, me pavarësinë kombëtare, me krijimin e shtetit të Kosovës.

Mirëpo fatkeqësisht sot shqiptarët e kanë si problem të madh, i cili është bërë jo vetëm shqetësim kombëtar, por madje edhe ndërkombëtar dhe ky problem është drejtësia. Kosova nuk ka ngritur akoma shtetin ligjor dhe demokratik me standarde dhe me vlera moderne perëndimore”, ka theksuar Kapiti për gazetën “Kosova Sot”. “Drejtësia dhe shteti ligjor janë sfiduar dhe janë kapur nga mafio-oligarkia korruptivo-kriminale politike e juridike. Kjo kastë nuk përgjigjet para ligjit, sepse vetë kjo mafio-oligarki janë ligji dhe pushteti. Kjo kastë nuk i jep askujt llogari, sepse i ka pushtetin dhe ligjin në dorë dhe me ta ka edhe atributin vetëm për të kërkuar e për të ndëshkuar të tjerët. Kjo kastë ka të drejtën për të gjobitur, vjedhur e grabitur pasuri, paranë publike, pushtet dhe autoritet”, ka vijuar më tutje ai. “Gjyqtarët dhe prokurorët janë ombrella ligjore që mbron padrejtësitë, krimin, korrupsionin dhe hajninë e politikës, politikanëve, si dhe të vetes së tyre. Në këto kushte drejtësia është bërë pronë dhe e drejtë e oligarkisë politike dhe pushtetit për të bërë ç'të duan dhe për të mos dhënë llogari për asgjë dhe para askujt. Pra, në një gjendje të tillë, ku bie shteti, ai nuk është dhe nuk funksionon si shtet publik, nuk punon për interesin kombëtar dhe as nuk u shërben qytetarëve, por funksionon si shtet privat i mafio-oligarkëve. Vetëm një VETTING gjithëpërfshirës do t'i hapte rrugën demokracisë, do të vinte në funksionim ligjin, drejtësinë, shtetin dhe shoqërinë”, ka vlerësuar analisti Skënder Kapiti.

Image
Naim Kelmendi

 Dekriminalizimi, i domosdoshëm

Analisti Naim Kelmendit thekson se Vetting-u i mbikëqyrur nga ndërkombëtarët është i pashmangshëm për sistemin e drejtësisë, sidomos në prokurori e gjyqësor, mbase dhe me detyrim ndërkombëtar që t’u kërkojë institucioneve të drejtësisë dhe politikës që sidomos në vitin 2018 ta bëjnë Ligjin për Vetting-un. “Është e vetmja mundësi dhe imanente për dekriminalizimin e plotë të të gjitha instancave të shtetit të Kosovës, duke filluar nga sistemi i drejtësisë i tejdegraduar, pastaj edhe në institucionet tjera”, ka theksuar ai.

“Në shtetin ku nuk sundon ligji dhe e drejta mungon perspektiva edhe e zhvillimit ekonomik edhe të tjera dhe kjo edhe në Kosove derisa institucionet e drejtësisë sfidohen nga kapja e politikës së inkriminuar dhe korrupsionit nuk mund të ketë rend dhe sundim të ligjit, ngase edhe më tutje në institucionet e shtetit po sundojnë krimi i organizuar dhe korrupsioni që janë bërë gangrenë e shoqërisë së pasluftës”, u shpreh për “Kosova Sot” analisti Kelmendi.

Image
Naim Miftari

Miftari: Krimi e korrupsioni sfidojnë të ardhmen e Kosovës

“Pashmangshëm dhe detyrimisht duhet pastrimi i politikës së inkriminuar dhe drejtësisë kosovare nga strukturat e kriminalizuara dhe gjithashtu luftimi i pakompromis i rrjeteve kriminale që kanë kapur shtetin dhe institucionet e tij...Jo vetëm drejtësia, por fatkeqësisht e ardhmja e këtij vendi po sfidohen nga krimi e korrupsioni, ngase ky është një shtet i kapur në të gjitha institucionet e tij”, ka potencuar Naim Miftari për “Kosova Sot”.

Kapiti: Ombrella e krimit

“Gjyqtarët dhe prokurorët janë ombrella ligjore që mbron padrejtësitë, krimin, korrupsionin dhe hajninë e politikës, politikanëve, si dhe të vetes së tyre. Në këto kushte drejtësia është bërë pronë dhe e drejtë e oligarkisë politike dhe pushtetit për të bërë ç'të duan dhe për të mos dhënë llogari për asgjë dhe para askujt. Pra, në një gjendje të tillë, ku bie shteti, ai nuk është dhe nuk funksionon si shtet publik, nuk punon për interesin kombëtar dhe as nuk u shërben qytetarëve, por funksionon si shtet privat i mafio-oligarkëve.

Vetëm një VETTING gjithëpërfshirës do t'i hapte rrugën demokracisë, do të vinte në funksionim ligjin, drejtësinë, shtetin dhe shoqërinë”, ka vlerësuar analisti Skënder Kapiti për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)