“Kosova Sot” lufton grupet e organizuara mafioze që po e shkatërrojnë Kosovën

  • 24 April 2019 - 08:01
“Kosova Sot” lufton grupet e organizuara mafioze që po e shkatërrojnë Kosovën

 Qytetarët:“Kosova Sot” nuk u ndal asnjëherë në misionin e saj për të luftuar fenomenet negative në Kosovën e pasluftës, në veçanti me shkrimet ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit

“E vërteta dhemb shumë, thotë një fjalë popullore, prandaj këtë e dinte dhe regjimi i Milosheviqit dhe për këtë makineria vrastare e Serbisë, pasi e ndëshkoi me mjete financiare, nuk u ndal, por edhe dogji shtypshkronjën e gazetës “Kosova Sot” më 24 mars 1999.

Dua të jem shumë realist dhe të them se roli i gazetës “Kosova Sot” është me mjaft peshë edhe pas luftës, duke vazhduar me qenë një medium i përkushtuar për informimin real dhe profesional. Pra, misioni për shtetin dhe demokracinë është gati ai i njëjti, i filluar në kohën e luftës, ngase “Kosova Sot”, sikurse që e bëri një informim të drejtë dhe të guximshëm në luftë, ashtu po vepron edhe në paqe, duke e treguar gjendjen reale në skenën politike e pushtuar grupet e ngushta të interesit dhe nga klanet që nuk janë hiç më pak të rrezikshme sesa grupet e organizuara mafioze. Uroj që të vazhdoni dhe ta ruani këtë ecje përpara, duke qenë medium i pavarur dhe i paanshëm, i pakontrolluar dhe i pandikuar nga politika ditore”,thotë qytetari Arif Sijarina për gazetën “Kosova Sot”

Image
Ejup Jonuzi

Ejup Jonuzi, qytetar

Si qytetar dhe lexues i rregullt i gazetës, unë sinqerisht dua ta vlerësoj kontributin e saj që ka dhënë edhe para edhe gjatë luftës, por edhe më shumë për këtë kontributin që po vazhdon ta japë tani pas luftës, sepse ndërtimi i shtetit dhe keqpërdorimet duan të thuhen haptas, nuk duhet lejuar që qytetari të mashtrohet. Unë konsideroj që “Kosova Sot” gjatë kohës së luftës ishte një medium tepër i veçantë, që ngjallte shpresën tek qytetarët se regjimit shpejt do t’i vijë fundi dhe liria nuk është larg. Ishin tepër të rëndësishme reportazhet që silleshin nga zonat e ndryshme të luftës nga ekipet e gazetarëve të “Kosova Sot” dhe kështu vinin informacione nga dora e parë, nga vendi i ngjarjes, para opinionit vendor e ndërkombëtar, duke qenë një dritare e informimit për të bëmat e regjimit famëkeq të Sllobodan Milosheviqit, që asokohe kishte dëbuar 1 milion shqiptarë nga Kosova. Prandaj, edhe jo rastësisht regjimi e futi këtë gazetë në listën e zezë për ta ndjekur, ndëshkuar dhe deri për ta shkatërruar. Paralajmërimi për shkatërrimin e saj që po përgatitej sigurisht ka qenë ai dënimi me 300 mijë euro. Prandaj, më pas nuk vonoi dhe po ai regjim, dora e zezë e tij, e dogji shtypshkronjën e gazetës “Kosova Sot”. Mirëpo, gazeta sikur që jemi dëshmitarë të kohës edhe në këto vitet e pasluftës nuk u ndal, por po vazhdon me kontributin e saj në luftimin e të fenomeneve negative në Kosovën e pasluftës, e në veçanti i vlerësoi shkrimet ndaj krimit të organizuar korrupsionit dhe hajnive të të gjitha garniturave të qeverisjes së vendit që kanë përgjegjësi serioze për ngecjen e madhe mbrapa në zhvillim, e që për pasojë tani po ballafaqohemi edhe me një eksod të ri të qytetarëve që po kërkojnë shpresë dhe jetë më të mirë jashtë vendit. Andaj komplimente për punën dhe kontributin tuaj dhe suksese të reja, sepse jeni gjithmonë në funksion të së vërtetës, sado që është e dhimbshme, por nuk mund të jetë ndryshe.

Image
Arif Sijarina

Arif Sijarina, qytetar

Gazetën “Kosova Sot” e kam lexuar deri në ditët e fundit të kohës së luftës, derisa nuk u larguam edhe ne nga Kosova nga dhuna serbe. Pa dyshim që merita më e madhe e gazetës “Kosova Sot” ishte se i tregoi Kosovës dhe botës mbi gjenocidin e falangave të Milosheviqit që po e bënte gjatë luftës në Kosovë, nga i cili gjenocid detyrohej të ikë popullata edhe jashtë vendit, gjithandej vendeve të botës dhe Evropës, për t’i shpëtuar masakrës që po përjetonim çdo ditë. E vërteta dhemb shumë, thotë një fjalë popullore, prandaj këtë e dinte dhe regjimi i Milosheviqit dhe për këtë makineria vrastare e Serbisë, pasi e ndëshkoi me mjete financiare, nuk u ndal, por edhe dogji shtypshkronjën e gazetës më 24 mars 1999. Dua të jem shumë realist dhe të them se roli i gazetës “Kosova Sot” është me mjaft peshë edhe pas luftës, duke vazhduar me qenë një medium i përkushtuar për informimin real dhe profesional. Pra, misioni për shtetin dhe demokracinë është gati ai i njëjti, i filluar në kohën e luftës, ngase “Kosova Sot”, sikurse që e bëri një informim të drejtë dhe të guximshëm në luftë, ashtu po vepron edhe në paqe, duke e treguar gjendjen reale në skenën politike e pushtuar grupet e ngushta të interesit dhe nga klanet që nuk janë hiç më pak të rrezikshme sesa grupet e organizuara mafioze. Uroj që të vazhdoni dhe ta ruani këtë ecje përpara, duke qenë medium i pavarur dhe i paanshëm, i pakontrolluar dhe i pandikuar nga politika ditore”. ( Vijon)

(Kosova Sot)