Gjyqi dështoi për të 7-n herë, pse mbrojtja kërkon përjashtimin e gjyqtares

  • 24 April 2019 - 09:23
Gjyqi dështoi për të 7-n herë, pse mbrojtja kërkon përjashtimin e gjyqtares

Për katër muaj me radhë, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda nuk ka mundur të çelë shqyrtimin gjyqësor të dosjes së Emiljano Shullazit dhe 4 të dënuarve të tjerë dhe shkak në të shumtën e rasteve është bërë mbrojtja.

Kujtojmë se Shullazi dhe 4 anëtarë të grupit të tij u dënuan nga Shkalla e Parë me 55 vite burg në total, duke u shpallur fajtorë për disa vepra penale. Vendimi u ankimua nga mbrojtja e Shullazit, që kërkon pafajësi nga Apeli.

Por për 6 seanca me radhë, trupi gjykues i drejtuar nga gjyqtari Fehmi Petku u detyrua t’i shtyjë ato për shkak të mungesës së avokatit të Gilmando Danit, ndërkohë që për këtë të fundit u caktuan edhe 3 mbrojtës kryesisht, të cilët dhanë dorëheqjen duke paraqitur shkaqe shëndetësore, apo konflikt interesi.

Teksa kanë kaluar 4 muaj nga seanca e parë, duket se procesi do të pasohet edhe nga shtyrje të tjera, në kushtet kur dy anëtarë të trupit gjykues janë zëvendësuar dhe procesi këtë të martë nisi nga e para. Me shkarkimin e Fehmi Petkut nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, vendin e tij e zuri gjyqtarja Saida Dollani, e cila sipas të dënuarit Blerim Shullazi, gjendet në kushtet e konfliktit të interesit.

Në seancën e djeshme, Blerim Shullazi, teksa jepte gjeneralitetet, iu drejtua Dollanit, duke i thënë se nuk mund të bënte gjyq me të, sepse edhe më herët e kishte gjykuar.

“Nuk bëj gjyq me ju! Më keni gjykuar edhe më herët dhe pa avokat mbi të gjitha”, tha ai. Më tej, pretendimet e Shullazit u pasuan edhe nga një kërkesë e avokatit të tij, Bledar Meminajt, për përjashtimin e kryesueses së treshes gjykuese Saida Dollani, me pretendimin se gjendej në kushtet e konfliktit të interesit.

Ndërkohë që kërkesa e Meminajt do të shqyrtohet nga një tjetër gjyqtar, seanca e radhës pritet të mbahet më 2 maj. Shkak për shtyrjen është bërë sërish i njëjti shkak, mungesa e avokatit të zgjedhur të Gilmando Danit, Denion Bogdani, si dhe njoftimi i viktimave të këtij procesi, pasi njoftimet e kryera nga treshja e parë gjykuese nuk kanë vlerë.

Dënimi

Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, Gjykata e Shkallës së Parë dënoi me 14 vite burg Emiljano Shullazin. Ndërkohë, i konsideruari si krahu i djathtë i tij, Gilmando Dani, u dënua me 11 vite burg. Sipas Prokurorisë, ai ka qenë mbështetës në veprat penale të kryera dhe një nga kryesorët, si dhe njëri i afërt i Emiljano Shullazit. Ndërkohë, për Endrit Qyqen dhe Endrit Zelën, gjykata dha nga 10 vite burg për secilin. Sipas prokurorisë, dy të pandehurit kanë qenë në rolin e personave që kanë ndihmuar në arritjen e qëllimit kriminal. Në fund, Gjykata dha 9 vite burg për Blerim Shullazin, i cili akuzohej për gjobëvënien ndaj Zakës dhe armëmbajtje pa leje.

(Kosova Sot)