Kelmendi: Pesë shkaqet kryesore të degradimit

  • 24 April 2019 - 13:21
Kelmendi: Pesë shkaqet kryesore të degradimit

“Ngecjet që kanë ndodhur në kohën e fundit në fushën e njohjeve të shtetit të Kosovës janë jashtëzakonisht shumë domethënëse për politikën e brendshme të Kosovës. Sikundër dihet, nga koha e para kësaj legjislature, kur Enver Hoxhaj ishte ministër i Jashtëm i PDK-së dhe, në këtë legjislaturë, kur ministër i Jashtëm u bë Behgjet Pacolli, kemi 2-3 njohje dhe kemi tërheqje të njohjeve, por për të cilat ne nuk kemi informacione, sepse nga Ministria e Jashtme e Kosovës nuk po jepen të dhëna konkrete.

Shkaqet e stagnimit të njohjes së shtetësisë janë disa: 1. Moskonsolidimi i shtetit të Kosovës në aspektin juridik, organizativ dhe shtetëror.

2. Caktimi i një njeriu si ministër të Jashtëm, që në fakt fare nuk e njeh as politikën e brendshme e as atë të jashtme, por tërësisht raportet ndërshtetërore i ka shfrytëzuar për interesa të tij biznesore.

3. Hapja e negociatave me palën serbe, duke nënshkruar marrëveshje pas marrëveshjeje, e nga të cilat Serbia ka fituar njëfarë lloj mbikëqyrjeje mbi territoret e veçanta të Kosovës, sikurse është Kosova e veriu.

4. Në veçanti plani Vuçiq-Thaçi, i përkrahur nga zonja Mogherini, nga Franca, Italia, Rusia, për korrigjim të kufijve, ka bërë që shtetet të stagnojnë nga njohja dhe disa shtete të tjera t’i tërheqin njohjet, me arsyetim që po presin marrëveshje përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë.

5. Në këtë ka ndikuar gjithashtu krimi dhe korrupsioni, përkatësisht gjendja e brendshme, e cila është mjaft e rëndë”, ka thënë Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)