Kapiti: VETTING-u, zgjidhja e vetme

  • 24 April 2019 - 13:24
Kapiti: VETTING-u, zgjidhja e vetme

Analisti Skënder Kapiti thekson se popujt kanë luftuar për shtetin kombëtar të pavarur, pasi shteti kombëtar realizon liritë dhe të drejtat kombëtare, qytetare, pronësore, juridike e sociale të shtetasve të vet. “Pas shumë e shumë përpjekjesh ketë e realizoi edhe populli shqiptar i Kosovës, me pavarësinë kombëtare, me krijimin e shtetit të Kosovës.

Mirëpo fatkeqësisht sot shqiptarët e kanë si problem të madh, i cili është bërë jo vetëm shqetësim kombëtar, por madje edhe ndërkombëtar dhe ky problem është drejtësia. Kosova nuk ka ngritur akoma shtetin ligjor dhe demokratik me standarde dhe me vlera moderne perëndimore”, ka theksuar Kapiti për gazetën “Kosova Sot”. “Drejtësia dhe shteti ligjor janë sfiduar dhe janë kapur nga mafio-oligarkia korruptivo-kriminale politike e juridike.

Kjo kastë nuk përgjigjet para ligjit, sepse vetë kjo mafio-oligarki janë ligji dhe pushteti. Kjo kastë nuk i jep askujt llogari, sepse i ka pushtetin dhe ligjin në dorë dhe me ta ka edhe atributin vetëm për të kërkuar e për të ndëshkuar të tjerët. Kjo kastë ka të drejtën për të gjobitur, vjedhur e grabitur pasuri, paranë publike, pushtet dhe autoritet”, ka vijuar më tutje ai.

“Gjyqtarët dhe prokurorët janë ombrella ligjore që mbron padrejtësitë, krimin, korrupsionin dhe hajninë e politikës, politikanëve, si dhe të vetes së tyre. Në këto kushte drejtësia është bërë pronë dhe e drejtë e oligarkisë politike dhe pushtetit për të bërë ç'të duan dhe për të mos dhënë llogari për asgjë dhe para askujt. Pra, në një gjendje të tillë, ku bie shteti, ai nuk është dhe nuk funksionon si shtet publik, nuk punon për interesin kombëtar dhe as nuk u shërben qytetarëve, por funksionon si shtet privat i mafio-oligarkëve.

Vetëm një VETTING gjithëpërfshirës do t'i hapte rrugën demokracisë, do të vinte në funksionim ligjin, drejtësinë, shtetin dhe shoqërinë”, ka vlerësuar analisti Skënder Kapiti.

(Kosova Sot)