Grabitja në Rinas, lihen në burg 3 të arrestuarit, mohojnë akuzat

  • 24 April 2019 - 14:52
Grabitja në Rinas, lihen në burg 3 të arrestuarit, mohojnë akuzat

Saimir Çela, Oltjan Veseli dhe Renaldo Sula janë lënë në burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Të 3 akuzohen për grabitje me dhunë, grup i strukturuar kriminal dhe për vrasje ndaj punonjësve të Policisë, e mbetur në tentativë. Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur të lërë në qeli pa afat, ish Imamin Oltjan Veselin dhe dy të arrestuarit në Elbasan, Saimir Çelën dhe Renaldo Sulën.

Seanca për masën e sigurisë është zhvilluar nën masa të rrepta sigurie dhe asnjë gazetar nuk është lejuar të marrë pjesë. Gazeta Mapo mëson se Saimir Çela, Oltjan Veseli dhe Renaldo Sula kanë mohuar akuzat dhe kanë kundërshtuar deklaratat e të penduarit Alkond Bengasi.

Alkond Bengasi një ditë më parë u la në masën “arrest me burg”. Gjithashtu një ditë më parë në Qafë-Thanë u arrestua Elton Pikli. Ai po kthehej nga Bullgaria në momentin e arrestimit, dhe akuzohet se ishte personi që hyri në pistën e aeroportit të Rinasit.

Tre të arrestuarit u prangosën bashkë me Alkond Bengasin 2 ditë më pare,  akuzohen se janë bashkëpunëtorë në grabitjen spektakolare në Rinas, ku rreth 2 javë më parë u grabitën rreth 10 milionë euro.

(Kosova Sot)