Si u bë Reiss miliarder, duke shndërruar patën kanadeze në një brend të fuqishëm luksoz?

  • 24 April 2019 - 16:01
Si u bë Reiss miliarder, duke shndërruar patën kanadeze në një brend të fuqishëm luksoz?

Në një ditë me borë në Toronto, Dani Reiss është i sigurt dhe në të ngrohtë në njërën nga fabrikat e tij "Canada Goose", duke demonstruar se si të prodhohen xhaketat nga pendlat e patave huterite (huterizmi është një sekt fetar), pa e bërë vendin rrëmujë. Kanë kaluar shumë vite që nga koha kur ai, si fëmijë, ndihmonte në punët në fabrikë. Asokohe familja e tij posedonte një fabrikë të vogël prodhuese të xhaketave të kualitetit të lartë. Nuk bënin reklamë, meqë nuk kishin nevojë. "Metro Sportswear", kompani e themeluar nga gjyshi i tij, kryesisht prodhonte xhaketa dhe pallto për shitësit me pakicë, si 'L.L. Bean' dhe 'Eddie Bauer'. Kjo kompani kishte filluar edhe me prodhimin e gëzofëve me kapuç, të quajtur "Snow Goose", që iu dedikoheshin njerëzve që jetonin dhe punonin në klimat më të ftohta në botë: renxherëve arktikë kanadezë; policisë së Ontarios; disa personave të njohur, si Laurie Skreslet, e cila ishte kanadezja e parë që u ngjit në "Everest" dhe shkencëtarët në Qendrën "McMurdo" në Antarktik. 

Një epokë të modës së shpejtë

Por, marrë në përgjithësi, numri i blerësve ishte i vogël, i kufizuar. Dani Reiss në fillim nuk kishte qëllim që ta udhëhiqte biznesin, meqë ëndërronte që të bëhej shkrimtar. Si fëmijë, ai më mirë ndihej në botët e imagjinuara, ku sidomos i kishte bërë përshtypje libri "The Lord of the Rings", sesa që i interesonte bota e dollarëve. Por, gati 20 vjet më parë, ai me të vërtetë e mori përsipër kompaninë, të cilën e riemërtoi si "Canada Goose". Ai e bëri këtë markë më luksoze, duke rritur çmimin e palltove në 1,000 dollarë dhe duke targetuar banorët e pasur të qyteteve në klimë të ftohtë. Ai bëri edhe një marketing të gjerë. Kompania i mori krahët. Në vitin 2018, "Canada Goose" bëri shitje në vlerë prej 460 milionë dollarësh, më shumë se trefishi i shitjeve katër vjet më parë. Rrobat e kësaj marke janë bërë simbole të modës dhe, të famshmit si Angelina Jolie, Daniel Radcliffe dhe Ben Affleck, shpesh shihen me veshje të kësaj marke.

Baza e konsumatorëve të kompanisë "Canada Goose" mund të ketë pësuar ndryshime drastike, por linja themelore e xhaketave dhe palltove, të cilat tani shiten në dyqanet sikur "Nordstrom", mbetet kryesisht e njëjta. Tani kur "Canada Goose" ka hyrë në panteonin e brendeve luksoze të botës, Reiss është i detyruar që me mjeshtëri ta analizojë tregun e shitjeve, ku gabimet nuk falen. Në një epokë të modës së shpejtë, me imitues që prodhojnë mall thuajse identik me origjinalin, atij i duhet që ta mbajë lart këtë markë. Sikur që thamë, kompania e cila do të bëhet "Canada Goose", ishte themeluar nga gjyshi (nga ana e nënës) i Reissit, Sam Tick, një i mbijetuar i Holokaustit, i cili arriti në Amerikën veriore pak pas përfundimit të Luftës së dytë botërore. Deri në vitin 1957, Tick kishte kursyer mjaft saqë ta themelonte kompaninë e vet, duke bërë rroba të leshta, pallto shiu dhe rroba për dimër. Në mes të viteve 1980, Tick ia shiti biznesin thjeshtrit të tij, David Reiss, i cili automatizoi një makineri e cila mbushte palltot me pupla. 

Për shkak të mungesës së parave, u detyrua që t'i rikthehej biznesit familjar

Me të atin e Dani't në krye, kompania filloi të shiste nën emrin "Snow Goose", por të ardhurat kryesore vinin nga shitësit me pakicë të katalogut, sikur "L.L. Bean", "Eddie Bauer" dhe "Lands' End". Palltot ishin të ngrohta, por kishin një pamje jo aq të hijshme, prandaj Dani i ri refuzonte t'i vishte ato. Si adoleshent, Reiss kishte dy pasione: të lexonte libra të fantazisë dhe ta përcillte sportin. Në vitin 1992, Reiss u regjistrua në Universitetin e Torontos, me qëllim që ta studionte literaturën angleze dhe filozofinë. Gjatë verës, prindërit e paguanin atë që të bënte punë të pista në fabrikë: të pastronte dyshemetë, të mbushte palltot me pupla, të paketonte dërgesat dhe të ngarkonte kamionët. Pasi që diplomoi në vitin 1997, ai planifikonte që të udhëtonte nëpër botë, si dhe të shkruante rrëfime të shkurtra, por për shkak të mungesës së parave, u detyrua që t'i rikthehej biznesit familjar. Më pas u pa se ky ishte veprim i mençur, si për të, po ashtu edhe për biznesin familjar. 

(Kosova Sot)