Vajza tetëvjeçare që e mundi kancerin

  • 24 April 2019 - 16:04
Vajza tetëvjeçare që e mundi kancerin

Në gusht të vitit 2017, Jenesis (Jenny) Shaw ishte duke bërë dush pasi që ishte kthyer nga ara, kur nëna e saj vërejti një të dalë nga barku i saj. Jenny tha se ajo e dalë nuk i dhembte, por prindërit megjithatë e çuan menjëherë te mjeku në Roçester, Nju-Jork. Vetëm pak orë më pas, mjekët iu thanë prindërve të vajzës se e bija e tyre kishte kancer të veshkave, ku më pas ata mësuan se kanceri kishte arritur tanimë në shkallën e katërt. 

Pako për fëmijët që janë në spital pa prindërit e tyre

Ajo që pasoi ishte një seri intensive e kimioterapisë, radioterapisë dhe operacionit, me ç'rast asaj iu largua një e treta e veshkave. Tetë muaj më pas, në prill të vitit 2018, vajza u shpall e shëruar nga kanceri. I ati i saj, Mike Shaw, thotë se vajza e tij dëshiron që të përqendrohet te ofrimi i ndihmës për fëmijët e tjerë që vuajnë nga kanceri, duke përgatitur pako për fëmijët që janë në spital pa prindërit e tyre. Tumori i Wilmsit është tumori më i shpeshtë i veshkave që haset te fëmijët. Në të shumtën e rasteve tumori prekë vetëm njërën veshkë dhe rëndom tumori rritet shumë para se të zbulohet. 

Trajtimi rëndom nënkupton operacionin

Simptomat përfshijnë dhembjen e barkut, ethet, praninë e gjakut në urinë, mundimin për të vjellë, kapsllëkun, si dhe humbjen e apetitit. Trajtimi rëndom nënkupton operacionin, terapinë me ilaçe (kimioterapi) dhe radioterapi (terapia me rrezatim), sidomos nëse kanceri ka një shkallë të përparuar. Çdo vit në SHBA diagnostikohen rreth 500 raste të reja, duke prekur përafërsisht 1 në çdo 10,000 fëmijë. Në rastin e Jenny-t kanceri ishte përhapur nga veshka e majtë në mëlçi, prandaj edhe nevojitej një trajtim agresiv. Ishte gjatë trajtimit kur vajza filloi të mendonte se si mund t'iu ndihmonte fëmijëve të tjerë që vuanin nga kjo sëmundje. 

(Kosova Sot)