Vjen paralajmërimi për Haradinajn: Ja kur PDK-ja do ta rrëzojë Qeverinë

  • 24 April 2019 - 17:07
Vjen paralajmërimi për Haradinajn: Ja kur PDK-ja do ta rrëzojë Qeverinë

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kishin paralajmëruar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së udhëhequr nga Ramush Haradinaj, por deri më tani nuk ka ndodhur një gjë e tillë. E sipas analistëve politikë, mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë nuk ka ndodhur pasi opozita nuk i ka votat për rrëzimin e Haradinajt. 

“Rrëzimin e qeverisë Haradinaj nuk mund ta bëjë opozita, pa marrë parasysh paralajmërimet e tyre të shpeshta për ngritjen e mocionit ndaj kësaj qeverie, për arsye të mungesës së numrave dhe refuzimin e këtyre dy partive që ti bashkojnë votat me Listën Serbe”, ka thënë analisti politik, Nexhat Haziri për gazetën “Kosova Sot”. 

Image
Nexhat Haziri

Sipas tij, shumë shpejt pritet që PDK t’i bashkojë votat me opozitën për ta rrëzuar Qeverinë.

“Ndarja e “Devollistëve” nga VV-ja dhe uzurpimi i mandateve të deputetëve, ia ka pamundësuar këtë proces opozitës dhe në një farë mënyrë ia ka zgjatur jetën qeverisë Haradinaj. Mirëpo bazuar në zhvillimet e fundit, sidomos divergjencave që kanë partnerët e koalicionit qeveritar PAN, kjo qeveri është në këmbët e qelqta dhe është çështje muajsh kur një nga partnerët e koalicionit, sidomos PDK-ja, do t’i bashkoj votat me opozitën për ta dërguar në shtëpi kryeministrin Haradinaj”, është shprehur më tej Haziri.

Ai ka thënë se Kosova do të shkojë në zgjedhje të parakohshme në vjeshtën e këtij viti. 

“Po ashtu për rënien e kësaj qeveria ka disponim edhe te partnerët ndërkombëtarë cilët në vazhdimësi qeverinë Haradinaj e kanë parë si një qeveri të dobët, pa vizion dhe pa program zhvillimor dhe vet kryeministrin Haradinaj si të pa kredibilitet politik dhe profesional për ta drejtuar qeverinë e vendit. Unë pres që Kosova të shkoj në zgjedhjet e parakohshme në vjeshtën e hershme të këtij viti, ndërsa rënia e qeverisë do të jetë fillimi i muajit shtator”, ka përfunduar për “Kosova Sot”, analisti politik, Nexhat Haziri.

(Kosova Sot)