Qarri: Dështime spektakolare të presidentit aventurier

  • 24 April 2019 - 19:08
Qarri: Dështime spektakolare të presidentit aventurier

Analisti Gani Qarri tha për "Kosova Sot" se dështimet e Thaçit & CO janë aq të mëdha e galoponte, saqë jo vetëm se nuk kanë mundur të sjellin njohje të reja për vendin,por nuk kanë arritur ta ruajnë as nivelin minimal të marrëdhënieve me vendet që e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur. 

"Madje, çmenduria e tij për ndarjen e shtetit tonë të brishtë ka bërë që me të drejtë edhe analistët ndërkombëtarë, të përsërisin pareshtur se as që do të ketë fare njohje të reja për Kosovën, përderisa qarkullojnë idetë e presidentit kuisling të vendit Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Aleksandar Vuçiq, për ndryshimin e kufijve të Kosovës. Ndaj, dështimi tij është aq i madh e lapidar, saqë po të kishte sadopak ndërgjegje dhe ndjesi morale, vetë presidenti i shitur e kuisling, Hashim Thaçi do të ishte e udhës që përfundimisht të jepte dorëheqje nga detyra e të parit të shtetit, dhe të gjitha postet politike në vend. Kjo edhe për faktin se me çmenduritë e tij, për ndarjen e Kosovës,kuislingu Hashim Thaçi i shkaktoi shtetit tonë aq shumë probleme në rrugëtim, saqë në vend të forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar, ai shkaktoi degradim të plotë dhe tërheqjen e njohjeve nga shtete të ndryshme ndërkombëtare", ka potencuar Qarri.

"Shkaku i çmendurive të tij, Kosova pas më shumë se 11 vjetëve të pavarësisë, po përjeton momentet më të rënda dhe në vend që të shënonim perspektiva të reja, shteti i udhëhequr nga Hashim Thaçi po hedh hapa prapa,por megjithatë askush nuk mban përgjegjësi dhe që të gjithë e fshehin kokën si struci në rërë. Për aq më keq, jo vetëm se askush nuk jep përgjegjësi për këtë dështim dhe zmbrapsje të Republikës tonë, por, në fakt, nuk dihet se çka bën as kjo Ministri e Punëve të Jashtme me Behgjet Pacollin në krye, por edhe Hashim Thaçin si president, çfarë bëjnë gjithë ata ambasadorë, konsuj e staf përcjellës anembanë botës, që paguhen me paga të majme nga taksapaguesit e varfër të Kosovës, shpenzojnë buxhete të mëdha e marramendëse dhe në fund, përsëri nuk ua dëgjon zërin kurrë?!", vijoi më tej ai. 

Sipas Qarrit, vërtet ky është edhe debakli më i madh për diplomacinë dhe politikën që ndjek shteti ynë, nën dirigjimin e oligarkëve, të cilët kanë vetëm një qëllim-t'i mbushin sa më shumë kontot e veta, atje ku i kanë të fshehura me gjasë në parajsat fiskale.

"Kjo kastë jomiqësore-pushtetarësh kusarë, që padrejtësisht është instaluar në krye të pushtetit të inkriminuar dhe të korruptuar deri në fyt, të shitur dhe vasalë të Serbisë e Rusisë, përditë e më tepër po dëshmohet e gatshme ta dëmtojë deri në fund dhe në të gjitha format e mundshme shtetësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit që e përfaqësojnë, me qëllimin final, për zhbërjen e tërësishme të shtetësisë së Kosovës", vlerësoi Gani Qarri.

(Kosova Sot)