Thaçi, autori i skandalit me turqit, i bishtnon hetimit parlamentar

  • 25 April 2019 - 07:45
Thaçi, autori i skandalit me turqit, i bishtnon hetimit parlamentar

Lenjani: Presidenti duhet të paraqitet në komision, të mos i ikë përgjegjësisë ligjore e kushtetuese

“Ishte vetë Hashim Thaçi që i tradhtoi dhe i mashtroi, duke u koordinuar kundërligjshëm me shërbimin informativ turk, i cili u lejua të futet këtu në Kosovë dhe t’i marrë ata qytetarë, të kidnapohen pa asnjë paralajmërim dhe pa tërheqje paraprake të vërejtjes nëse kanë bërë vepra të kundërligjshme në Kosovë”, thotë qytetari Salih Salihu për “Kosova Sot”

Mënyra se si i ka bërë bisht deri më tani presidenti Hashim Thaçi ftesës për raportim para komisionit hetimor, i cili është duke intervistuar dhe hetuar përgjegjësit për kidnapimin dhe dëbimin skandaloz të qytetarëve turq nga Kosova vitin e kaluar, ka hasur në kritika të ashpra jo vetëm tek përfaqësuesit politikë në komisionin hetimor të Kuvendit të Kosovës, por edhe tek qytetarët, me të cilët ka biseduar dhe të cilët i ka anketuar gazeta. Sipas qytetarëve të anketuar, kjo ikje e presidentit nga ballafaqimi me komisionin, dëshmon më së mirë dhe ngjall dyshimin se në finale të hartimit të raportit nga komisioni hetimor, mundë të del konstatimi sipas të cilit presidenti Thaçi do të mbetet autori e regjisori e përgjegjësi kryesor për përgatitjen dhe zbatimin e atij skenari skandaloz e kriminal, që paraqet një krim të organizuar nga brenda shteti.

Sikur që dihet presidenti Thaçi ka qenë disa herë i ftuar të intervistohet nga ky komision, por nuk është paraqitur aty derisa po ky komision ka dëgjuar dëshmitë shumicës së krerëve të shtetit në lidhje me dëbimin e shtetasve turq nga Kosova, rast ky i paprecedent deri më tani, por pa dëshminë e presidentit, autor e regjisor i krimit, anëtarët e komisionit po vlerësojnë se raporti nuk mund të jetë i kompletuar.

Image
Salih Salihu

“Regjinë” e skandalit e bëri presidenti

Sipas qytetarit Salih Salihu, Hashim Thaçi mund t’i bëjë bisht edhe këtë të premte komisionit, sepse dihet ashiqare që ai është autori dhe kreatori kryesor i skenarit të rrëmbimit dhe dëbimit të 6 qytetarëve turq për në Turqi, sepse ai këtë e ka bërë në marrëveshje me homologun e tij tuk, Erdogan.“Dihet që ky veprim është ndërmarrë duke qenë krejtësisht nën regjinë e tij dhe të presidentit Hashim Thaçi, sepse ky e ka “arkadash” presidentin turk, Erdoganin.

Pra, ky i ka prerë në besë dhe i ka tradhtuar njerëzit, të cilët kanë ardhur këtu në Kosovë në besim, duke besuar që besën dhe traditën shqiptare e ruan dhe e kultivon edhe kjo udhëheqësi e shtetit që e kemi, si një pjesë e popullatës “revolucionare” shqiptare, duke menduar që kjo popullatë edhe udhëheqësin e ka të atillë sikur është vetë, mirëpo ata qytetarë janë mashtruar dhe nuk kanë kujtuar që ndaj tyre mund të bëhet një tradhti e tillë dhe një faqe e zezë sikur që u ndodhi”, u shpreh ai për “Kosova Sot”. “Pra, ishte vetë Hashim Thaçi që i tradhtoi dhe i mashtroi, duke u koordinuar kundërligjshëm me Shërbimin Informativ Turk, i cili u lejua të futet këtu në Kosovë dhe t’i marrë ata qytetarë, të kidnapohen pa asnjë paralajmërim dhe pa tërheqje paraprake të vërejtjes nëse kanë bërë vepra të kundërligjshme në Kosovë. Pra, këtu ka pasur një marrëveshje në mes të Erdoganit dhe të Hashim tyxharit dhe të dy shërbimeve informative, atij turk dhe Shërbimit Informativ të Kosovës që kontrollohet nga Hashim Thaçi”, potencoi Salihu.

“Këtë të vërtetë nuk mund ta mohojë askush, sepse Shërbimi Informativ Turk që ka hyrë në Kosovë nuk ka hyrë ilegalisht as me avion privat, por me një plan të akorduar mirë, sepse hapësira e Kosovës nuk është hapësirë ajrore që nuk kontrollohet nga askush. Dikush e kontrollon këtë hapësirë dhe raporton për të gjitha lëvizjet që bëhen në këtë hapësirë dhe askush, asnjë mjet fluturues, nuk mund të hyjë në hapësirën ajrore të Kosovës as të aterojë në aeroport vetëm pse dëshiron të bëjë këtë dhe vetëm pse i teket. Krejt ky veprim kriminal është bërë në një marrëveshje të planifikuar mirë dhe në regji të vetë Hashim tyxharit”, tha Salih Salihu për “Kosova Sot”.

Image
Islam Visoka

Komisioni është i shantazhuar

Qytetari Islam Visoka tha për “Kosova Sot” se gjasat janë që përsëri, edhe në takimin e radhës, të mungojë Hashim Thaçi, të mos paraqitet fare në komision, nëse ai nuk ka arritur akoma që t’i blejë shumicën e deputetëve në këtë komision për të mbajtur anën e tij dhe për të ndikuar në minimizimin, respektivisht zhvlerësimin e rolit kryesor që Thaçi e ka pasur në kidnapimin e qytetarëve turq dhe dëbimin e tyre për në Turqi, pasi që dihet se të gjitha institucionet e sigurisë në Kosovë janë nën kontroll të fuqishëm nga presidenti.

”Unë dyshoj që sikur çdoherë tjetër, edhe për takimin e radhës që i ka thënë se do të shkojë dhe raportojë para komisionit, ai do të dijë t’i bëjë ato eskivazhet e veta të zakonshme dhe nuk besoj që do të dalë para këtij komisioni. Unë besoj se ai do të bëjë gjithçka që është e mundur për të mos u paraqitur aty, sepse dihet ashiqare që ai është protagonisti kryesor i aktit të përgatitur për arrestimin e qytetarëve turq, të cilët u cilësuan si anëtarë të grupit gylenist. Këtu nuk kam asnjë dilemë, sepse dihet ashiqare që është deklaruar edhe kryeministri Ramush Haradinaj që ai personalisht, në cilësinë e kryeministrit të shtetit, nuk ka ditur asgjë për këtë punë. Pra, kjo lë të kuptohet 100% që krejt atë punë e kanë përgatitur si skenar të vetin Hashim Thaçi me shefin e AKI-së dhe me drejtorin e policisë”, u shpreh ai për “Kosova Sot”.

“Tash, duke e ditur përgjegjësinë, fajësinë e tij tepër të madhe në këto veprime po i bën bisht paraqitjes para komisionit, sepse me siguri do të ketë shumë fakte e shumë pyetje, në të cilat ai edhe mund të mos përgjigjet, pasi që nuk mund ta mohojë derisa është protagonisti kryesor, njeriu që ka nën kontroll edhe AKI-në, edhe Policinë e Kosovës. Kjo punë është gjykuar edhe nga faktori ndërkombëtar, prandaj ky do të bëjë gjithçka që të mos identifikohet dhe etiketohet si fajtori kryesor. Sidoqoftë, këto fakte nuk mund të zhduken, sepse dihet se si mund të hyjë një aeroplan i një shteti të huaj, veçmas kur bëhet fjalë për Shërbimin Informativ Turk, i cili ka pritur në aeroport derisa janë dërguar aty qytetarët e kidnapuar nga Shërbimi Informativ i Kosovës. Sidoqoftë, unë mendoj dhe besoj se ai mund të shpresojë tani në një skenar tjetër për të shpëtuar nga përgjegjësia.

Nëse ai nuk ka zgjidhje tjetër që të shpëtojë nga zbardhja e së vërtetës, tani kalkulon në ushtrimin eventual të ndikimit mbi anëtarët e komisionit, pasi që aty ai i ka disa njerëz të vërtetë, mirëpo përtej këtyre ai mendon që ta kurdisë edhe një skenar tjetër për t’i blerë apo shantazhuar shumicën e anëtarëve të komisionit dhe këtu përjashtim mund të bëjnë vetëm përfaqësuesit e VV-së. Prandaj, ky akoma kalkulon duke blerë kohë për paraqitje para komisionit, sepse është njeri shumë i njohur edhe për shantazhe, edhe për intriga, por edhe për forma të tjera të blerjes së njerëzve dhe deri tani edhe ka pasur mjaft sukses në përgatitjen e prapaskenave të tilla”, tha Islam Visoka.

Image
Bajram Jaha

Kosova, larg shtetit ligjor

Qytetari Bajram Jaha, që njëherësh është edhe veteran i luftës së UÇK-së, mendon se për këtë lojë kriminale me qytetarët turq në Kosovë vitin e kaluar, por edhe për të gjitha krimet tjera që kanë ndodhur në Kosovë, përgjegjësia është e të gjithëve, jo vetëm e presidentit Thaçi. “Unë mendoj që jo vetëm presidenti Hashim Thaçi, por të gjithë janë fajtorë për këto dukuri negative që po ndodhin në Kosovë. Nga kjo përgjegjësi madje unë mendoj se nuk mundë të amnistohen as këta anëtar të komisionit hetimor. Po e them këtë pasi që nëse kthehemi e shikojmë pak më mbrapa, shohim dhe të gjithë jemi dëshmitarë se akoma asgjë nuk u zbulua deri më sot për krimet i rënda që janë bërë në Kosovë që nga paslufta e deri më sot. Pra, le të fillojmë këtu në mënyrë shumë konkrete, e që i kemi këto vrasjet politike për të cilat flitet dhe akoma nuk zbulohen.

E kur jemi këtu, atëherë çka mund të presë populli prej këtyre njerëzve, duke filluar nga të gjitha instancat e shtetit, edhe të politikës edhe të drejtësisë. Kur e kemi këtë gjendje unë realisht nuk e di se çka mund të pritet nga ky lloj hetimi për kidnapimin e turqve. Pra, këta janë në një gjendje për të bërë çdo gjë në këtë shtet dhe me këtë shtet, duke u future në lloj-lloj pazaresh e marrëveshjesh me shtetet e fuqishme vetëm që mos t’i prekin këta, sepse këta janë të korruptuar dhe të inkriminuar deri në fyt. Ky, pra presidenti, nuk i paraqitet deri më tash komisionit, sepse e di që edhe Komisioni hetimor është i korruptuar sikurse ai, Hashim Thaçi, dhe nuk ka se çka të merret me të.

Prandaj, unë them që shpresa për ta rindërtuar këtë shtet mbetet vetëm te një klasë e re politike që do të përbëhej nga njerëzit e rinj, të pakorruptuar dhe të padamkosur, në të kaluarën e tyre. Vetëm me njerëz të tillë mund të instalohet një shtet ligjor, i cili do të nxjerrë para drejtësisë të gjithë të inkriminuarit, të korruptuarit dhe kriminelët e të gjitha llojeve”, tha Bajram Jaha për “Kosova Sot”.

Image
Selver Lenjani

U shkelën ligjet ndërkombëtare

Sado që e sheh përgjegjësin kryesor që mund të konstatohet edhe nga Komisioni hetimor, qytetari Selver Lenjani tha për “Kosova Sot” që presidenti duhet të paraqitet në komision, të mos i ikë përgjegjësisë ligjore e kushtetuese, sepse kur i është nevojitur vota e deputetëve të Kuvendit për të fituar atë pozitë nuk ka lënë guri pa rrokullisur që të fitojë votat, prandaj edhe tani duhet t’i bindet ftesës së tyre, qoftë edhe duke dhënë llogari ligjore për “gabimin” që mund ta ketë bërë.

”Presidenti duhet ta dijë që sipas konventave ndërkombëtare janë shkelur të gjitha ligjet ndërkombëtare që kanë të bëjnë me trajtimin e të drejtave të njeriut në tërë rruzullin tokësor, sepse mbrojtja e këtyre njerëzve që kanë kërkuar strehë në shtetin tonë, që kanë kërkuar besë, është dashur të ndodhë me të gjithë potencialin politik, intelektual dhe shtetëror.

Është e papranueshme dhe e turpshme se si ka ndodhur ai skenar, se si janë dëbuar dhe transferuar në mënyrën më të vrazhdët ata njerëz atje, për fatin e të cilëve tani ne nuk dimë asgjë, pasi kanë shkuar në dorë të Erdoganit, si në gojën e ujkut. Për këtë skandal ia pafshin pikën e hairit të përgjegjësisë institucionet e shtetit të Kosovës dhe në rend të parë presidenti Hashim Thaçi”, tha Lenjani për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)