“Kosova Sot”, zë i fuqishëm i luftës kundër padrejtësive në Kosovë

  • 25 April 2019 - 08:27
“Kosova Sot”, zë i fuqishëm i luftës kundër padrejtësive në Kosovë

Lidere e shtypit të shkruar në Kosovë

Mjekë, studentë, zyrtarë komunash e qytetarë të këtij vendi janë shprehur se gazeta “Kosova Sot”po vazhdon ta ruajë atë qasjen e vet për informim të drejtë, duke luftuar për ta sjellë para lexuesit vetëm të vërtetën dhe realitetin në të cilin po jetojmë. Sipas tyre, gazetën “Kosova Sot” e dallon korrektësia, informimi i drejtë, ngase është kjo e vetmja gazetë që nuk ka bërë shpifje të ndryshme, e as që ka rënë ndonjëherë në lajthitje

Dr. Bali Gashi, mjek nga Prizreni

Roli i gazetës “Kosova Sot” para 20 vjetësh ishte shumë i rëndësishëm, sepse ishte zë i luftës. Kurse sot ai rol është përforcuar në gazetarinë profesionale duke u bërë lidere e gazetarisë në Kosovë. Përderisa mendoj se gazeta veçohet për informacion të shpejtë, korrekt, të drejtë dhe padyshim kundërshton të gjitha të këqijat. Siç po e shohim, tani është bërë një zë i fuqishëm i luftës kundër padrejtësive në Kosovë, sidomos në drejtim të gjyqësorit të Kosovës.

Kurse sot në tregun medial është media e vetme që respektohet dhe vlerësohet lart nga lexuesi i saj. Jam i lumtur sa herë e lexoj dhe shoh se ka gjëra të bukura dhe shumë serioze. Historikisht mediet ishin shtytëse gjatë zhvillimeve të shoqërive të ndryshme, sistemeve politike dhe fenomeneve, të cilat kishin të bënin drejtpërsëdrejti me shtetin dhe zhvillimin e shoqërisë. Në këtë kontekst, vlen të përmendet kontributi i çmueshëm dhe i pazëvendësueshëm i të gjitha medieve në Kosovë, por me theks të veçantë duhet potencuar se "Kosova Sot" është gazetë lidere e informimit të drejtë, të saktë, të shpejtë dhe të paanshëm."Kosova Sot", si dhe gazetat e tjera në Kosovën e pasluftës, kaluan nëpër një fazë shumë të vështirë zhvillimi.

Krahas zhvillimit të vazhdueshëm të kapaciteteve të tyre operacionale, ato kishin edhe misionin e shenjtë që t’i kontribuonin lirisë, pavarësisë dhe zhvillimeve demokratike të Kosovës, e cila po lindte nga shkatërrimet dhe gërmadhat e mbetura të një strukture artificiale, komuniste të quajtur Jugosllavi, ku mungonte fjala e lirë. Vullneti i flaktë i popullit të Kosovës, për të qenë i lirë sikurse të gjithë popujt e tjerë të lirë të botës, sakrificat e vajzave dhe djemve më të mirë të saj dhe ndihmës së miqve të Kosovës, bënë që sot Kosova të ndërtojë shtetësinë e saj dhe të bëhet pjesë e rëndësishme e zhvillimeve të demokracisë në rajon dhe më gjerë, ku fjala e lirë dhe shoqëria e hapur janë shtylla të shtetësisë së saj.

Ali Buzhala, zyrtar komunal

“Kosova Sot” lindi si një dritare e re e informimit, ishte një gazetë plot me reportazhe nga frontet e luftës. Atëbotë, kur ende nuk e kishin të qartë shumica e kosovarëve se ç’po ngjet me Kosovën, kjo gazetë njoftonte për betejat e lavdishme të djemve që luftonin maleve të Kosovës. Kjo gazetë po jep kontribut të çmuar në rrjedhat kombëtare. Puna e saj këtyre ditëve, lidhur me gjyqësorin, po tregon se ka profesionalizëm të konsideruar. Ishte një gur i rëndësishëm në themelin e pavarësisë së Kosovës. Roli i para 20 vjetëve ishte shumë i rëndësishëm dhe tani ky rol është intensifikuar në zhvillimin e demokracisë. Prandaj, është edhe lidere në Kosovë. Gazetën “Kosova Sot” e dallon korrektësia, informimi i drejtë, ngase është kjo e vetmja gazetë që nuk ka bërë shpifje të ndryshme, e as që ka rënë ndonjëherë në lajthitje. Uroj që kështu të vazhdojë edhe 100 vjet të tjerë.

Ermir Shabani, student

“Kosova Sot” është e para dhe gazeta më objektive që shkruan për zhvillimet e përgjithshme, si shoqërore dhe politike. Lindjen e kësaj gazete e kujtoja kur raportonte në fronte të luftës në Vërri. Ishte zëdhënëse besnike e luftës për liri. Tani e 20 vjet vazhdon të mbetet kultivuesja më e mirë e demokracisë, lirisë dhe pavarësisë në Kosovë. E kam çmuar rolin e madh që kishte në luftë. E çmoj korrektësinë e kësaj gazete, prandaj është vërtet gazetë lidere. Roli i saj është i pakontestuar në të gjitha zhvillimet aktuale. ”Kosova Sot“ dallohet për shkrime të guximshme, me plot fakte. Këtë gazetë do ta propozoja që institucionet ta shpallin shtëpi mediale meritore.

Dallohet për balancë informacioni

Amir Tafalari, qytetar

Gazeta “ Kosova Sot” ishte dritarja e vetme e luftës dhe dallohej për guxim e trimëri në shkrime. Ishte gazetë e popullit dhe shkrimet e atëhershme ende i ruaj me xhelozi. E kam çmuar shumë këtë gazetë, sepse lindi në flakët e luftës. Mendoj se ka ndihmuar në demokratizim dhe pavarësinë e Kosovës. Kurse rëndësinë e gazetës e kam çmuar shumë. Po vazhdon të jetë gazeta më prestigjioze në Kosovë. Gëzohem për këtë angazhim. Dallohet për balancë informacioni, paanësi dhe ajo që më së shumti më gëzon është guximi dhe profesionalizimi i kësaj gazete. E lexoj dhe uroj të vazhdojë kështu. Urime 20 vjet suksese, rrugëtim drejt majave të medieve.

Depërtuese në zonat e rrezikshme

Image
Asllan Juniku

Asllan Juniku,qytetar

Unë, edhe sot e kujtoj guximin e gazetës “Kosova Sot”, sepse e kam përcjellë gjatë kohës së luftës gati rregullisht, ngase mendonim që ishte më e drejtpërdrejtë në informim dhe më depërtuese në zonat e rrezikshme. Në fakt, askush nuk mund ta mohojë, nga ata lexues që e mbajnë në mend atë kohë të vështirë të shtypit ditor në Kosovë, se ishte gazeta “Kosova Sot” si e vetmja nga mediet që më së miri pasqyronte realitetin e krimeve serbe me fotografi e me fjalë, prandaj kriminelët serbë e ndoqën deri aty, saqë edhe vendosën që t’ia japin flakën. Ne jemi dëshmitarë që pushimi i dhunshëm i shtypit të Kosovës gjatë bombardimeve të NATO-s nuk zgjati shumë, prandaj në qershorin e 1999-s edhe gazeta “Kosova Sot” iu kthye lexuesit dhe tani për 19 vjet të plota në liri po vazhdon traditën e filluar nga numri i parë i daljes së saj që të jetë një gazetë objektive në informim, kërkuese e informatës së vërtetë dhe plasimit të saj për lexuesin.

 

Image
Isuf Sallahu

Isuf Sallahu , qytetar

Roli i gazetës “Kosova Sot”, për kohën kur në Kosovë po zhvillohej një gjenocid i paparë nga regjimi kriminal serb, është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe nuk ka çmim as vlerë me të cilën mund të matet. Për këtë arsye edhe nuk ishte aspak e çuditshme hakmarrja e regjimi kriminal serb ndaj gazetës “Kosova Sot” para 20 vjetësh, sepse kjo gazetë ishte zëdhënëse e luftës për liri dhe njëherësh denoncuese me plot argumente për krimet që regjimi kishte filluar t’i bënte në masë ndaj popullatës së pafuqishme. Jam një nga dëshmitarët që mund ta vlerësoj lart angazhimin e kësaj gazete në funksion të informimit jashtëzakonisht të drejtë të opinionit vendor e ndërkombëtar, për luftën e drejtë për liri, por edhe për masakrat e mëdha dhe gjenocidin që ushtronte regjimi kriminal i Milosheviqit kundër popullatës shqiptare.

Kjo qasje e guximshme në informim u bë pengesë e madhe ndaj regjimit të Milosheviqit, sepse e ka pasqyruar besnikërisht golgotën shqiptare të atyre dy vjetëve, viti 1998 dhe 1999, deri në fillimin e bombardimeve të NATO-s, prandaj ky regjim vendosi të zgjedhë njëfarë situate që e ka konsideruar më të përshtatshme për t’ iu hakmarrë gazetës, sikur me ndëshkimin financiar edhe me shkatërrimin fizik të infrastrukturës, kur u dogj dhe bombardua gazeta nga kriminelët serbë. Unë po e përcjell edhe tani rregullisht gazetën “Kosova Sot”, sepse po vazhdon ta ruajë atë qasjen e vet për informim të drejtë, duke qenë lidere e shtypit të shkruar në Kosovë, duke luftuar për ta sjellë para lexuesit vetëm të vërtetën dhe realitetin në të cilin po jetojmë.

Image
Selim Berisha

Selim Berisha, qytetar

Kur flasim për represionin serb, sidomos gjatë luftës së fundit, nuk mund ta bëjmë një veçim dhe përjashtim të gazetës “Kosova Sot”, sepse fatin e popullit e ndau edhe kjo gazetë. “Kosova Sot” ishte në krye të detyrës për të informuar rreth masakrave dhe gjenocidit serb ndaj popullit të Kosovës, prandaj edhe ka qenë njëra nga objektivat e pushtetit serb, sepse qëllimi i tyre ka qenë që njëherë ta shuajë zërin që del nga shqiptarët, nga mjetet e informimit shqip.

Pra, mjetet e informimit në atë kohë ishin pengesa kryesore për realizimin e projektit gjenocidal serb, andaj ky regjim në përpjekje për ta heshtur të vërtetën zgjodhi betejën për shkatërrimin e medieve të atëhershme, e më së rëndi e pësoi gazeta “Kosova Sot”.

Unë mendoj, dhe nuk besoj që gabohem kur them se “Kosova Sot” ka qenë, është dhe do të mbetet informuesi numër një në Kosovë, pasi atë që e ka bërë në të kaluarën e lavdishme të popullit, në luftën për liri, tani po e bën në informimin e drejtë të opinionit lidhur me ndërtimin e shtetit”. (vijon)

(Kosova Sot)