Guraziu: Gjendje kaotike në fushën e ndërtimeve

  • 25 April 2019 - 12:10
Guraziu: Gjendje kaotike në fushën e ndërtimeve

Analisti Ragip Guraziu thekson se pangopësia e ndërtimeve në Kosovë është bërë “egjeli” i qytetarëve të Kosovës. “Kështu po rrezikohen jetët e qytetarëve në shumicën e ndërtimeve të larta në Prishtinë, për shkak se ndërtimi është bërë pa kritere profesionale dhe pa kurrfarë cilësie, pasi askush nuk i kontrollon. Janë vetë pushtetarët e niveleve të larta ata që qëndrojnë pas shumicës së ndërtimeve të larta në Kosovë.

Tani është bërë ndërtimi në Kosovë një ndër bizneset më kriminale, për shkak të orekseve e pangopësisë së pushtetit të korruptuar,si në nivelin komunal ashtu edhe në atë qendror, që në vend se të zbatojë ligjin angazhohet vetëm për të zhvatur e për të përfituar në mënyrë të paligjshme, që na lë të kuptojmë se në çdo qytet në Kosovë, por sidomos në Prishtinë, si kryeqytet, rrallë gjen një objekt ku të mos përfshihet ndonjë aksionar nga emrat e politikës, pushtetit apo familjar e mik i tyre, si dhe nëntoka kriminale e ndërtimtarisë”, u shpreh ai për “Kosova Sot”.

“Dhe, kështu po e varrosin Prishtinën, kaosi ndërtimor, ndërsa kryetarit Shpend Ahmeti dhe klanit të tij i interesojnë vetëm përfitimet korruptive nga dhënia e shitja e lejeve të ndërtimit, nga ‘talli’ që e ndajnë me investitorët kryesisht të dyshimtë. Ndryshe, në Kosovë rrezikohen jetët e qytetarëve edhe nga ndonjë tërmet fare i vogël, pasi mafia ndërtimore, sidomos në kryeqytet, ka ndërtuar me të madhe shumicën e ndërtimeve duke mos përfillur asnjë kriter profesional”, vijoi më tej Guraziu. “

Sidoqoftë, kemi një gjendje kaotike në fushën e ndërtimeve, ku objektet e ndërtuara para lufte janë shumë më të sigurta se objektet e reja, sepse këto të rejat janë ndërtuar si kanë dashur vetë nëntoka kriminale me pushtetarët e inkriminuar, e ku në shumicën e rasteve aksionarë/pronarë të tyre janë pushtetarët e niveleve të larta në Kosovë...

Po janë pushtetarët e niveleve të larta ata që qëndrojnë pas shumicës së ndërtimeve të larta në Kosovë, e me theks të veçantë në Prishtinë, ku kryetari Shpend Ahmeti pa asnjë problem apo refuzim ua lëshon lejet ndërtimore kolegëve të PAN-it, ua pranon heshtjen administrative tek 40 katëshet, sigurisht duke marrë shërbime nga pushteti qendror si kompensim, përfshirë edhe postin e bashkë-koordinatorit për dialogun me Serbinë, që rrezikohen jetët e qytetarëve në shumicën e ndërtimeve të larta në Prishtinë, për shkak se ndërtimi është bërë pa kritere profesionale dhe pa kurrfarë cilësie, pasi askush nuk i kontrollon”, ka theksuar Ragip Guraziu.

(Kosova Sot)