Azemi: Ndërtimi i egër bllokon qytetet

  • 25 April 2019 - 13:06
Azemi: Ndërtimi i egër bllokon qytetet

Analisti Egzon Azemi thekson se në Kosovë, por sidomos në kryeqytet, ndërtimi i egër, përveçse po bllokon hapësirat tona të përbashkëta, ato ndërtime që po na shfaqen si kërpudha pas shiut janë arteria e legalizimit të parave të pista të fituara nga droga, armët, prostitucioni e tenderë të ndryshëm. “Nuk ka mënyrë më të mirë për t’i ‘siguruar’ (futur në treg) këto lloj parash sesa në tulla dhe beton, me leje të blera ku gjithçka bëhet nën tavolinë.

Prishtina është katandisur pa plane rregulluese e pa Hartë zonale, por me mbindërtime që ta zënë frymën e që e ngritin qytetin tonë në ranglistat për qytetet më të ndotura në botë. Prishtina, që mandatin e kaluar kur qeverisej nga një Shpend ndryshe, mburrej në ndaljen e këtyre ndërtimeve kriminale, ndërsa sot pothuajse ka zëvendësuar edhe vitet kur për ndërtim kishte kritere, dhe ky zëvendësim u shndërrua në papërgjegjësi e në biznes për përfitime të pushtetarëve”, u shpreh ai.

“Nga mediet u njoftuam se në zonën industriale Prishtinë-Fushë Kosovë është shembur një pjesë e ndërtesës që është në punim e sipër.

Komuna e F. Kosovës ka reaguar duke treguar se kjo ndërtesë gjendet në territorin e Prishtinës. Por Komuna e Inspektorati heshtin. Ndërtime të egra, pa kritere, pa kurrfarë kujdesi. Komunarët po bëhen luanë me ata që s'kanë e lepuj me ndërtuesit e biznesmenët. Kjo papërgjegjësi e ka vetëm një ‘arsye’ fakti që më nuk do të kenë gjasa të fitojnë në Prishtinë e të mbesin në skenën politike po i bënë edhe më të egër në planet e tyre klanore. Por s'do ta kenë gjatë”, ka thënë Azemi për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)