Reagimi i ashpër nga Kosnett, ja çfarë kërkohet urgjentisht nga kosovarët

  • 25 April 2019 - 14:12
Reagimi i ashpër nga Kosnett, ja çfarë kërkohet urgjentisht nga kosovarët

Ambasadori amerikan, Philip S.Kosnett ka deklaruar se qytetarët duhet të ngrenë zërin ndaj zyrtarëve të pasuruar. Ambasadori madje kërkoi nga qytetarët që të reagojnë edhe me anë të protestave paqësore.

“Flas si mik i Kosovës, një oligarki mund të përfitojë vetëm kur njerëzit heqin dorë. Njerëzit në Kosovë kanë luftuar për një demokraci. Andaj, qytetarët mos të heqin dorë, por të reagojnë me ngritje të zërit dhe demonstrata paqësore ndaj zyrtarëve të pasuruar”, tha Kosnett. Por pse populli po hesht dhe po shikon vetëm se si të ikë prej Kosovës dhe nuk e përdor protestën paqësore si mjet kundër krimit që po e bëjnë cdë ditë kjo klasë politike? 

Lidhur me këtë, për gazetën “Kosova Sot”, ka folur analisti politik, Nexhat Haziri.

“Indiferenca e qytetarëve tanë karshi sundimit të kësaj klase politike që prodhon skandale nga më të ndryshmet dhe nga më të mëdhatë, është vërtetë për tu habitur, dhe kjo indiferencë ka shtyre që të parët për skandalet e qeverisjes së keqe dhe të fenomeneve të tjera negative në politikbërjen kosovare, të reagojnë misionet diplomatike në Kosovë, siç është kjo e fundit e ambasadorit amerikan Philip S.Kosnett ndaj zyrtarëve të pasuruar dhe kërkesës së tij për një qytetari aktive dhe kundërshtuese ndaj politikave korruptive të klasës politike”, thotë ai për “Kosova Sot”.

Image
Nexhat Haziri

Sipas tij, mungesa e alternativave dhe liderëve politik që kanë guxim dhe dije për të ndërtuar kauzë qytetare për ta ndryshuar mentalitetin e politikbërjes në vendin tonë, ka bërë që e vetmja zgjedhje për ta të mbetët emigrimi

“Shpesh herë kjo ideferencë e qytetarëve të Kosovës, ky pasivitet shoqëror për ta kundërshtuar të keqen është arsyetuar edhe me besimin e humbur të qytetarëve në tërë klasën politike, perceptimi se të gjithë janë të njëjtë, mungesa e alternativave dhe liderëve politik që kanë guxim dhe dije për të ndërtuar kauzë qytetare për ta ndryshuar mentalitetin e politikbërjes në vendin tonë, ka bërë që e vetmja zgjedhje për ta të mbetët emigrimi. Dhe natyrisht kjo nuk është zgjedhja as më e mira dhe as më e duhura, e cila po ashtu ka ngritur shqetësim edhe të ambasadorit amerikan,mikut të Kosovës, z. Philip Kosnett, por edhe partnerëve të tjerë ndërkombëtar”. 

“Qytetarët janë ata që ia kthejnë shpresën këtij vendi, jo duke ikur, por duke qëndruar e kundërshtuar sundimin kriminal të klasës politike, duke qenë aktiv dhe duke kërkuar llogari nga të zgjedhurit e tyre, nga ata që paguhen nga taksat e vet qytetarëve. Dhe një nga format demokratike janë edhe protestat paqësore, por jo “vetëm paqësore” varësisht nga sinjalet e reflektimit të pushtetarëve,Ne po jetojmë në një shoqëri, ku pushteti çdo ditë po jep sinjale të rrëshqitjes së tij në një teknokraci që më pas kjo prodhon diktaturë, dhe se nuk gjenë dot një shoqëri që është çliruar nga pushtetet kriminale e korruptive, duke zgjedhur rrugën më të lehtë të ikjes, por duke e kundërshtuar më të gjitha mjetet e ndryshme demokratike”, përufnsdon për gazetn “Kosova Sot”, analisti politik, Nexhat Haziri.

(Kosova Sot)