Zbulohet romanca mes ish-polices dhe grabitësit, hetuesit: Ja ku ndodhen 6.7 milionë eurot

  • 25 April 2019 - 15:15
Zbulohet romanca mes ish-polices dhe grabitësit, hetuesit: Ja ku ndodhen 6.7 milionë eurot

Jehona e grabitjes së ndodhur në Rinas dy javë më parë vijon ende. Këtë të enjte kanë dal në sipërfaqe detaje të reja.

Sipas disa raportimeve në media,  ish-policia Edlira Bici, e dyshuar si personi që dogji mjetin dhe shpërqëndroi policinë, ka patur një lidhje dashurie me grabitësin e vrarë, Admir Murataj.

Ndërkohë mësohet se Bici është larguar nga policia në vitin 2015, me vullnet të lirë, dhe po këtë vit ajo ka marrë pjesë në grabitjen e parë të grupit.

Edlira Bici, nuk e kishte për herë të parë grabitjen e parave të bankave. Ajo dyshohet se ka marrë pjesë në grabitjen që grupi i Muratajt bëri në vitin 2017 tek Stacioni i Trenit ku u morën 3.7 mln euro.

Ajo ka luajtur një rol kryesor në këtë grabitje, pasi edhe për shkak të raportit me Muratajn, 31-vjeçarja ka bërë transportimin e parave. 

Misteri i 6.7 milionë eurove…

Krimet e Rënda dyshojnë se Edlira Bici ka transportuar paratë e vjedhura edhe në këtë grabitje. Pasi ka djegur mjetin, besohet se ajo është larguar me paratë. Hetuesit besojnë se paratë ndodhen në zonën e Niklës.

Emri i Edlira Bicit u zbulua ditën e djeshme. Për grabitjen e Rinasit janë arrestuar 5 persona. Alkond Bengasi, është tashmë bashkëpunëtor i drejtësisë, dhe konsiderohet si një nga bashkëpunëtorët.

Dy janë autorët e kapur deri më tani, Oltion Veseli dhe Elton Pikli, të dy nga Kruja. Dy bashkëpunëtorët e tyre janë Saimir Çela dhe Renaldo Sula. 

Policia ka shpallur në kërkim, Klement Çalën, Eldi Çalën, Talo Çelën, ish-policin Mareglen Hoxha, dhe Aleks Pepën. “Truri” i grupit, Admir Murataj, ngeli i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë.

(Kosova Sot)