Protestë afër autostradës ‘Arbën Xhaferi’, arrestohen gjashtë persona

  • 25 April 2019 - 16:11
Protestë afër autostradës ‘Arbën Xhaferi’, arrestohen gjashtë persona

Policia rajonale e Ferizajt ka njoftuar se sot është mbajtur një protestë në fshatin Nikaj të Kacanikut afër autostradës ‘Arbën Xhaferi’, në shenjë pakënaqësie për moshapjen e një rruge.

Në njoftim thuhet se protestuesit penguan punimet e kompanisë ‘Bechtell&Enka’, e që rezultoi me arrestimin e gjashtë personave.

“Edhe pse policia i ka informuar dhe urdhëruar protestuesit që të mos pengojnë punimet dhe të largohen, të njëjtit nuk i kanë zbatuar urdhrat. Me këtë rast, policia i ka arrestuar dhe sjell në stacionin policor gjashtë (6) persona të cilët nuk i kishin zbatuar urdhrat e ligjshëm”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Lidhur me këtë,  është njoftuar prokurori kujdestar, i cili ua ka shqiptuar gjobat mandatare (tiketë) të gjashtë personave dhe të njëjtit janë liruar.

Bëhet e ditur se protestuesit  tjerë janë shpërndarë dhe se  punimet në autostradë kanë vazhduar pa ndonjë pengesë.

(Kosova Sot)