Qarri: “Tallin” e merr politika kriminale

  • 25 April 2019 - 19:36
Qarri: “Tallin” e merr politika kriminale

Analisti Gani Qarri thotë se fatkeqësisht ndërtimi në Kosovën e kriminalizuar është bërë jo vetëm problem shumë serioz, por edhe një ndër bizneset më të zeza e kriminale, si dhe është shndërruar në vendekzekutimin pa paralajmërim të punëtorëve të rinj e të pafajshëm, që punojnë për 8-10 euro ditën,pa asnjë sigurim jetësor as shëndetësor, siç ndodhi rasti i para dyditëve në Mitrovicë.

"Për shkak të orekseve e pangopësisë së kriminelëve në pushtetin e korruptuar, si në nivelin komunal ashtu edhe në atë qendror, ata në vend se ta zbatojnë ligjin, angazhohen vetëm për të zhvatur e për të përfituar sa më shumë, në mënyrë të paligjshme duke rrezikuar hapur jetën e punëtorëve. Për pasojë, sot në çdo qytet të Kosovës, e veçanërisht në Prishtinë, si kryeqytet i vendit, rrallë gjen një objekt ku të mos jetë i përfshirë ndonjë aksionar nga emrat e politikës kriminale në vend, pushtetit të korruptuar, apo familjar e mik nga nëntoka kriminale e ndërtimtarisë", u shpreh ai për "Kosova Sot". 

"Ndaj dhe ka kohë që, sidomos Prishtinën, e ka varrosur tërësisht kaosi ndërtimor, ndërsa përkundër të gjithave, kryetarit Shpend Ahmeti dhe klanit të tij u interesojnë vetëm përfitimet korruptive nga ofrimi dhe shitja e lejeve të ndërtimit, si dhe 'talli' që ata e ndajnë me investitorët kryesisht të dyshimtë. Për aq më keq, nga ndërtimet pa asnjë kontroll dhe përmbushje kriteri, në Kosovë rrezikohen edhe jetët e qytetarëve nga ndonjë tërmet sado i vogël qoftë ai, pasi mafia ndërtimore, sidomos në kryeqytet, ka ndërtuar me të madhe, por në shumicën e ndërtimeve, duke mos përfillur asnjë kriter profesional. Kështu që është krijuar një pasiguri aq e madhe në fushën e ndërtimeve, saqë objektet e ndërtuara para lufte, mendohet të jenë shumë më të sigurta se objektet e reja, sepse këto të rejat janë ndërtuar pa asnjë kontroll e mbikëqyrje, ashtu siç kanë dashur vetë nëntoka kriminale me pushtetarët e inkriminuar, pasi në shumicën e rasteve aksionarë dhe pronarë të tyre janë vetë pushtetarët e niveleve më të larta në Kosovën e kriminalizuar gjithanshëm nga mafia politike", vijoi më tej Qarri.

"Madje, është e ditur publike, se pikërisht pushtetarët e niveleve më te larta janë ata që qëndrojnë pas shumicës së mega-ndërtimeve të larta në Kosovë, e me theks të veçantë në Prishtinë, ku kryetari Shpend Ahmeti pa asnjë problem apo refuzim ua dhuron lejet ndërtimore kolegëve të PAN-it,dhe garanton heshtjen administrative tek 40 katëshet, sigurisht duke marrë shpërblimet adekuate nga pushteti qendror si kompensim, përfshirë edhe postin e bashke-koordinatorit për dialogun me Serbinë. Në këtë mënyrë rrezikohen përditë jetët e qytetarëve në shumicën e ndërtimeve të larta në Prishtinë, për shkak se ndërtimi është bërë dhe vazhdon të bëhet, pa kritere profesionale dhe pa kurrfarë cilësie ndërtimore, pasi ato askush nuk i kontrollon", ka vlerësuar më tej Gani Qarri.

(Kosova Sot)