Rreth dy mijë zyrtarë me punësim të shumëfishtë, mbi një milion pa punë

  • 26 April 2019 - 07:36
Rreth dy mijë zyrtarë me punësim të shumëfishtë, mbi një milion pa punë

Zeqa: Të fortët e politikës vazhdojnë të jenë mbi ligjet dhe Kushtetutën e vendit, ndërkaq qytetarët e rëndomtë vuajnë për mbijetesë në shtetin e kapur nga mafio-politika dhe nëntoka kriminale

“Ky fenomen tmerrësisht diskriminues, tipik egoist dhe totalisht antiligjor, tash e 20 vjet, nuk lejon vendosjen e barabarësisë së qytetarëve para ligjit, pengon zhvillimin e vendit dhe pamundëson punësimin e personave të tjerë të papunë e që, siç dihet, në Kosovë ka numër jashtëzakonisht të madh të njerëzve që nuk kanë asnjë burim jetese dhe janë lënë në kushte barbarisht të vështira, për ç`shkak provojnë përditë të ikin nga Kosova për të siguruar mbijetesën për vete dhe familjet e tyre pa asnjë të ardhur.

Në anën tjetër, në Kosovën e udhëhequr nga mafiozët, vetëm njerëzit e pushtetshëm dhe figurat më të larta të partive politike, thuajse gjithë shtetin ua ka lënë babai trashëgimi, kanë uzurpuar dhe mbajnë me forcën e pushtetit, më shumë se dy pozita, të cilat vetë ata i kanë zgjedhur”, thotë analisti Gani Qarri për gazetën “Kosova Sot”

Edhe pse Kosova vlerësohet vendi me shkallën më të lartë të papunësisë në Evropë, zyrtarë të lartë të institucioneve shtetërore, të cilët prijnë për nga pagat e larta, nuk e kanë problem të sigurojnë edhe deri tetë vende pune për vete. Sipas Raportit të fundit të publikuar nga Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit, thuhet se janë identifikuar 1873 zyrtarë të lartë publikë që ushtrojnë më shumë se një funksion.

Sipas Agjencisë, një zyrtar i lartë ushtron tetë funksione, 2 persona kanë nga shtatë pozita të ndryshme, po ashtu 2 zyrtarë të tjerë mbajnë gjashtë vende pune, 13 zyrtarë mbajnë për të njëjtën kohë 5 funksione, 37 të tjerë gëzojnë katër punë të ndryshme, me nga tri pozita janë 366 zyrtarë, kurse me nga dy funksione në Kosovë janë 1451 zyrtarë të lartë shtetërorë. Sipas analistëve, ky fenomen antiligjor po e pengon punësimin e personave të tjerë të papunë, e që në Kosovë është numër jashtëzakonisht i lartë. Në Kosovë vetëm njerëzit e pushtetshëm, figurat më të mëdha në partitë politike, marrin e mbajnë më shumë se dy pozita.

Edhe pse në Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit thuhet se gjatë kohës së ushtrimit të funksionit publik, zyrtari duhet të veprojë në mbrojtje të interesit publik dhe nuk ka të drejtë që interesin e tij privat ta vërë para interesit publik. Ky ligj, si dhe çdo ligj tjetër në Kosovë, nuk ka vlerë, pasi të fortët e politikës dhe nëntokës kriminale vazhdojnë të jenë mbi ligjin, ndërkaq populli vuan për mbijetesë! Agjencia Antikorrupsion nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetës në lidhje me parandalimin e punësimit të shumëfishtë.

Image
Ragip Guraziu

Të fortët e politikës dhe nëntokës sundojnë Kosovën

Analisti Ragip Guraziu thotë se në Kosovë, sa i përket papunësisë, është shkalla më e lartë në Evropë, por 1873 zyrtarë të lartë publikë ushtrojnë më shumë se një funksion. “Të fortët e politikës dhe nëntokës kriminale vazhdojnë të jenë mbi ligjin, ndërkaq populli vuan për mbijetesë. Kosova po vlerësohet vendi me shkallën më të lartë të papunësisë në Evropë, zyrtarë të lartë të institucioneve shtetërore, të cilët prijnë për nga pagat e larta, nuk e kanë problem të sigurojnë edhe tetë vende pune, sipas Raportit të fundit të publikuar nga Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit, që thuhet se janë identifikuar 1873 zyrtarë të lartë publikë që ushtrojnë më shumë se një funksion”, u shpreh ai për “Kosova Sot”.

“Sipas Agjencisë, një zyrtar i lartë ushtron tetë funksione, 2 persona kanë nga shtatë pozita të ndryshme, po ashtu 2 zyrtarë të tjerë mbajnë gjashtë vende pune, 13 zyrtarë mbajnë për të njëjtën kohë 5 funksione, 37 të tjerë gëzojnë katër punë të ndryshme, me nga tre pozita janë 366 zyrtarë, kurse me nga dy funksione në Kosovë janë 1451 zyrtarë të lartë shtetërorë. Pse një gjë e tille ndodh vetëm në shtetin ku nuk sundon ligji për TË FORTËT E POLITIKËS DHE NËNTOKËS,pra edhe një tërmet i radhës në Kosovë, dhe askush nuk po turpërohet nga institucionet tona me këto shifra marramendëse”, vijoi më tej Guraziu.

“Si po e pengon ky fenomen antiligjor punësimin e personave të tjerë të papunë e që në Kosovë është numër jashtëzakonisht i lartë, kjo tregon se në Kosovë vetëm njerëzit e pushtetshëm, figurat më të mëdha në partitë politike, thuajse ua ka lënë baba, marrin e mbajnë më shumë se dy pozita. Edhe pse në Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit thuhet se gjatë kohës së ushtrimit të funksionit publik, zyrtari duhet të veprojë në mbrojtje të interesit publik dhe nuk ka të drejtë që interesin e tij privat ta vërë para interesit publik, ky ligj, si dhe çdo ligj tjetër në Kosovë, nuk ka vlerë”, ka theksuar Ragip Guraziu.

Image
Gani Qarri

Qarri: TË FORTËT E POLITIKËS DHE NËNTOKËS KRIMINALE vazhdojnë të jenë jo vetëm mbi ligjin, por edhe mbi vetë shtetin

Analisti Gani Qarri thekson se megjithëse Kosova vlerësohet si vendi me i varfër dhe me shkallën më të lartë të papunësisë në Evropë, zyrtarë të lartë të institucioneve shtetërore, të cilët prijnë për nga pagat e larta,jo vetëm në vend, duke keqpërdorur heshtjen e qytetarëve si dhe inferioritetin e të gjithë shoqërisë kosovare, nuk e kanë fare problem t’i mbajnë të uzurpuara edhe nga tetë vende pune për vete. “Madje, në Raportin e fundit të publikuar nga Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit thuhet se janë identifikuar jo më pak se 1873 zyrtarë të lartë publikë, të cilët ushtrojnë më shumë se një funksion pune.

Për aq më keq, sipas po kësaj Agjencie, dëshmohet se një zyrtar i lartë ‘SUPERMEN’ ushtron hiq më pak se rrafsh tetë funksione, 2 persona të tjerë mbajnë nga shtatë pozita të ndryshme, 2 zyrtarë kanë nga gjashtë vende pune, 13 zyrtarë për të njëjtën kohë posedojnë 5 funksione, 37 të tjerë bëjnë katër punë të ndryshme, me nga tre pozita janë edhe 366 zyrtarë, kurse me nga dy funksione në Kosovë janë mbi 1451 zyrtarë të lartë shtetërorë. E gjitha kjo ndodh në një shtet si Kosova, që njihet si vendi më i varfër dhe më i izoluari në rajon, ku fatkeqësisht tash e dy dekada nuk funksionoi si duhet, asnjëherë drejtësia, janë kapur prokuroria e gjyqësori dhe për TË FORTËT E POLITIKËS DHE NËNTOKËS kriminale, as që ekziston ligji”, u shpreh Qarri për “Kosova Sot”.

“Ky fenomen tmerrësisht diskriminues, tipik egoist dhe totalisht antiligjor, tash e 20 vjet, nuk lejon vendosjen e barabarësisë së qytetarëve para ligjit, pengon zhvillimin e vendit dhe pamundëson punësimin e personave të tjerë të papunë e që, siç dihet, në Kosovë ka numër jashtëzakonisht të madh të njerëzve që nuk kanë asnjë burim jetese dhe janë lënë në kushte barbarisht të vështira, për ç`shkak provojnë përditë të ikin nga Kosova për të siguruar mbijetesën për vete dhe familjet e tyre pa asnjë të ardhur. Në anën tjetër, në Kosovën e udhëhequr nga mafiozët, vetëm njerëzit e pushtetshëm dhe figurat më të larta të partive politike, thuajse gjithë shtetin ua ka lëne babai trashëgimi, kanë uzurpuar dhe mbajnë me forcën e pushtetit, më shumë se dy pozita të cilat vetë ata i kanë zgjedhur.

Për aq më tepër, edhe pse në Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit thuhet se gjatë kohës së ushtrimit të funksionit, zyrtari duhet të veprojë në mbrojtje të interesit shoqëror dhe nuk ka të drejtë që interesin e tij privat ta vërë para interesit publik, është vërtetuar katërçipërisht se ky ligj, si dhe çdo ligj tjetër në Kosovën e sunduar nga mafiozët, nuk kanë më asnjë vlerë, pasi TË FORTËT E POLITIKËS DHE NËNTOKËS KRIMINALE vazhdojnë të jenë jo vetëm mbi ligjin,por edhe mbi vetë shtetin, ndërkaq populli vuan për mbijetesë dhe bukë goje”, vijoi më tej Qarri.

Image
Reshat Badallaj

Badallaj: Në asnjë vend të botës nuk shkelen ligji dhe Kushtetuta si në Kosovë

“Ju garantoj, që Kosova është në duart e kryebanditëve dhe shembull më i keq. Edhe një gjë ju garantoj, që në asnjë vend të botës nuk shkelet ligji dhe Kushtetuta si këtu. Kryebanditët dhe kryevagabondët e majave të shtetit që janë të punësuar në tetë vende të punës. Në cilin shtet të botës ndodh kjo? Nuk po flas për vendet e civilizuar, sepse kjo vetëm të marrësh shembull është ÇMENDURI.

Merreni me mend se çka po ndodh në Kosovë !”, tha Reshat Badallaj- Zhuriani për “Kosova Sot”.

Image
Florim Zeqa

Zeqa: Politikanët po sillen si despotët

“Vetëm në vendin ku nuk sundon ligji e drejtësia, njerëzit e pushtetit mund të mbajnë pese deri në tetë vende të punës, mund të gëzojnë të gjitha privilegjet e pushtetit. Drejtësia e kapur mbron të fortët e politikës, të korruptuarit dhe të inkriminuarit, drejtësia selektive diskriminon qytetarët e vendit sipas përkatësive partiake, lidhjeve nepotike e familjare. Bazuar në raportin e fundit të AKKS-së, të dhënat janë shqetësuese, me ç' rast janë identifikuar 1873 zyrtarë të lartë publikë që ushtrojnë më shumë se një funksion në institucionet publike.

Sipas Agjencisë në fjalë, një zyrtar i lartë shtetëror ushtron madje deri në tetë funksione njëkohësisht, paradoks ky i paparë dhe i padëgjuar në vendet e civilizuara demokratike. Ndodh kështu për shkak të sjelljes antiligjore dhe antinjerëzore të bartësve të institucioneve shtetërore në kohën kur papunësia në Kosove është në nivelin më të lartë në rajon. Njerëzit e pushtetshëm, figurat e inkriminuara politike, figurat me të larta të partive politike sillen si despotë të egër, thuajse ua ka lënë baba të ushtrojnë më shumë se dy pozita në institucionet publike e shtetërore, edhe përkundër faktit se ligji e përcakton parandalimin e konfliktit të interesit, ku ligji e përcakton qartë se zyrtari shtetëror gjatë ushtrimit të funksionit shtetëror duhet të mbroje interesin publik dhe nuk ka asnjë të drejtë të vërë interesin privat para atij shtetëror dhe publik.

Edhe përkundër infrastrukturës së kënaqshme ligjore, të fortët e politikës vazhdojnë të jenë mbi ligjet dhe Kushtetutën e vendit, ndërkaq qytetarët e rëndomtë vuajnë për mbijetesë në shtetin e kapur nga mafio-politika dhe nëntoka kriminale”, theksoi për “Kosova Sot”, analisti Florim Zeqa.

(Kosova Sot)