Shpërthejnë analistët: Kosova po shkon drejt zhbërjes së shtetit

  • 26 April 2019 - 08:02
Shpërthejnë analistët: Kosova po shkon drejt zhbërjes së shtetit

Salihaj: Institucionet e Kosovës vlojnë nga hajnat, sikur kazani i mbushur me krimba

“Ndryshimi nuk vjen duke heshtur intelektualët dhe shoqëria civile. Hajnia nuk ndalet duke shikuar, por duke sjell ndryshimin, me shkapjen e shtetit dhe drejtësisë, ku të gjithë do të jepnin llogari dhe t’u merret pasuria që e kanë fituar në mënyrë të paligjshme në këta 20 vjet”, thotë analisti Blerim Burjani për gazetën “Kosova Sot”

Shkapja e shtetit nuk mund të ndodhë pa një shpërthim të madh popullor e ky shpërthim popullor po bëhet edhe më i pamundur nga ikja masive e qytetarëve. Sipas analistëve, njerëzve po u duket më e lehtë të largohen nga vendi sesa të ballafaqohen me këtë klasë politike në pushtet dhe kësisoj më e vështirë është të gjenden njerëz që me protesta të përmbysin këta pushtetarë që vetëm të këqija i sollën Kosovës.

Analistët thonë se ky popull nuk ka as për kë të votojë, pasi që të gjitha partitë politike janë bërë ‘COPY-PASTE’, të njëjta .

Image
Ali Hertica

Analisti Ali Hertica theksoi për gazetën “Kosova Sot” se me këtë klasë politike që është në pushtet dhe që, sipas tij, është tepër e inkriminuar, Kosova po shkon drejt zhbërjes së shtetit.

Edhe qytetarët thonë se ata janë të habitur se si po hesht e tërë klasa politike kosovare përballë grevave të shumta që kanë kapluar vendin. “Në një anë kemi shumicë parlamentare dhe në tjetrën kemi pakicën bllokuese, të cilët po i sakrifikojnë Republikën dhe demokracinë për interesat e veta. Është për keqardhje se si të gjitha këto vende janë bërë atraktive për bizneset e huaja, kurse Kosova ka degraduar si shtet i nëntokës kriminale, ku vetëm mafio-oligarkët e nëntokës kriminale, të lidhur me parapolitikën dhe pushtetarët e inkriminuar të të dyja niveleve vazhdojnë të bëjnë ilegalisht dhe në mënyrë kriminale qindra miliona.

Nëse ka vullnet politik, oligarkët ashtu si vijnë, ashtu edhe ikin. Ne kemi një kryeministër që ka kapur gjithçka. Ka kapur ekonominë, gjyqësorin. Prandaj, është në interesin e forcave politike të Kosovës ta përkrahin këtë protestë. Ato as nuk fitojnë, as nuk humbin aty për aty nga kjo protestë sa i përket garës së tyre për pushtet, por duke qenë kjo një fitore për Kosovën, bëhen hisedarë të saj dhe herëdokur do të kapitalizojnë këtë”, është shprehur analisti Ali Hertica.

Image
Blerim Burjani

Burjani: Mungon bashkimi qytetar

Analisti Blerim Burjani u shpreh për gazetën “Kosova Sot”se pa ndryshim të klimës politike, pa një organizim të ri politik, një subjekt që deri më tash nuk ishte në skenën politike, nuk vjen ndryshimi. “Ndryshimi nuk vjen duke heshtur intelektualët dhe shoqëria civile. Hajnia nuk ndalet duke shikuar, por duke sjell ndryshimin, me shkapjen e shtetit dhe drejtësisë, ku të gjithë do të jepnin llogari dhe t’iu merret pasuria që e kanë fituar në mënyrë të paligjshme në këta 20 vjet”, theksoi analisti Burjani.

Sipas tij, qytetarët e kanë gjetur se më lehtë është që të ikin sesa të bëjnë bashkimin qytetar për të kundërshtuar këtë regjim.

Image
Shefik Shkodra

Krejt çfarë ka ndryshuar në Kosovë është linja e dukurive negative

Analisti Shefik Shkodra theksoi për gazetën “Kosova Sot” se që të ndërrohet gjendja e përgjithshme do të duhej që populli të votojë ata që kanë shpresë në ta.“Ata të cilët ende nuk e kanë pasur rastin ta qeverisin këtë vend, ata të cilët vërtet do të preokupoheshin me vullnet e dashuri për Kosovën dhe qytetarët e saj. Kjo klasë e deritashme do të duhej të strukej anash dhe as si opozitë nuk do ta verifikonte më veten. Mënyra më e mirë dhe pa dëm do të ishte që të mos votoheshin më asnjëri prej tyre. Ata (mendoj në këtë klasë sundimtarësh) janë të gjithë me akuza të njohura e të panjohura. Kjo çështje çdo ditë do të bëhet më e komplikuar.

Nuk e di përqindjen, po është e madhe plaçkitja dhe vjedhja e pasurisë së këtij vendi. Këta zotërinjtë janë të lidhur shumë ngushtë, pozitë (që e quajnë veten) e opozitë. Ndërrimi i tyre është thjesht një rotacion dhe një riciklim i të gjitha veprimeve të deritanishme. Madje, mund të rritet e të bëhet gjendja edhe më e hovshme. Në këtë vazhdë kanë mundur të na ndihmojnë edhe aleatët, të cilët i njohin mirëfilli të gjitha aktet e tyre. Shpeshherë janë përpjekur që të mashtrojnë opinionin publik me do viza, po vizat nuk i ka lejuar për shkak të krimit dhe korrupsionit të politikës që është marrë me to”, theksoi analisti Shkodra.

Image
Arsim Haziri

Analisti Arsim Haziri thotë për gazetën “Kosova Sot” në Kosovë krejt çfarë ka ndryshuar, madje në masë enorme, është linja e dukurive negative.

“Nëse do të thirreshin marshe qytetare për të kundërshtuar këtë qeverisje, minimalisht konsideroj se do t'i përgjigjeshin qytetarët. Mundësitë për ndryshime sociale potencoj se mund të vijnë nga kryeqendrat evropiane dhe ato duke e ditur se kanë rol mjaft vendimtar, mund ndoshta të shpallin të pavlefshme politikën aktuale”, theksoi analisti Haziri për gazetën “Kosova Sot”.

Image
Adem Salihaj

Salihaj: Populli më lehtë e sheh ikjen sesa rezistencën

“Protestat e ashpra masive do të ishin rrugë e drejtë për ta shporrur plotësisht nga pushteti këtë klasë politike, plotësisht të deformuar, të kriminalizuar dhe të shitur. Asnjë pushtet i deritashëm nuk bëri asnjë hap për ta përmirësuar situatën, përkundrazi krimi dhe korrupsioni vetëm janë theksuar, për të ardhur deri në momentin e sotëm, kur nepotizmi, vjedhjet dhe zhvatjet bëhen publikisht dhe askush nuk skuqet dhe nuk mërzitet për asgjë.

Hajnia është bërë normë shoqërore tek ne. Institucionet e Kosovës vlojnë nga hajnat sikur kazani i mbushur me krimba. Por, populli i Kosovës është tepër i rraskapitur nga robëria e gjatë dhe i duhet kohë për ta rimarrë veten. Për fatin e keq të tij, ai më të lehtë po e sheh ikjen sesa qëndresën dhe luftën për ta përmirësuar pozitën e tij”, theksoi ish-deputeti Adem Salihaj për gazetën “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)