Ekonomia e shtetit, nën monopolin e tre-katër oligarkëve të lidhur me mafinë politike

  • 26 April 2019 - 08:13
Ekonomia e shtetit, nën monopolin e tre-katër oligarkëve të lidhur me mafinë politike

Grapci: Ekonomia në Kosovë është në kthetrat e hienave të kontrabandës

“Një vend ku ekonomia e secilit është nën monopolin e tre-katër oligarkëve të lidhur me mafinë politike, ku nuk ofrohen kushte dhe hapësirë të barabartë për konkurrencë të mirëfilltë në biznes, ku ka mungesë të qartë strategjie për përkrahje dhe avancim të prodhimit vendor, ku ka mungesë të funksionimit të ligjit dhe mungesë sigurie për investime, ku vjen në pyetje klientelizmi dhe joprofesionalizmi, nuk mund të prodhojë vende të reja të punës”, thotë analisti Nexhat Haziri për “Kosova Sot”

Kosova është vendi i vetëm në Ballkan që nuk shënon rritje në numrin e të punësuarve dhe i vetmi vend me rritje të boshllëkut të fuqisë punëtore ndërmjet femrave dhe meshkujve. Por, pse vendi nuk ka shënuar ngritje në numrin e të punësuarve, sipas analistëve, kjo ndodh për shkak se ekonomia vazhdon të mbetet e sunduar nga nëntoka me monopole kriminale, ku nuk ka treg të lirë dhe çdo gjë është e sunduar.

Prandaj, sipas tyre, nuk ka shanse që të kemi rritje të vendeve të punës, por vetëm ikje të qytetarëve nga ky shtet ku nuk sundon ligji, të cilin ka shumë kohë që e sundon krimi i organizuar shtetëror.

Image
Faik Krasniqi

Krasniqi: Largimi në masë i njerëzve do të thotë falimentim i shtetit

Analisti Faik Krasniqi thekson se ndërtimi i autostradave miliardëshe, mosfunksionimi i ligjit, korrupsioni, ka bërë që të kemi ekonomi të prapambetur.“Si pasojë e kësaj, edhe mosgjenerim të vendeve të reja të punës, mungesë e investimeve të huaja, si shkak i korrupsionit, monopolit dhe haraçit institucional. Ikja e qytetarëve drejt Perëndimit e rëndon edhe më shumë zhvillimin ekonomik. Në një të ardhme jo shumë të largët, do të ketë vende të punës me bollëk, por s'do të ketë fuqi punëtore për shkak të mungesës së saj. Jo për shkak të hapjes së vendeve të reja të punës, por për shkak se bizneseve do t’u ikin punëtorët.

Edhe sikur bizneset do të rrisin pagat në sektorin privat do të jetë shumë vonë, sepse njerëzit e kanë ndarë mendjen që të largohen nga Kosova”, është shprehur Krasniqi. Sipas tij, largimi në masë i njerëzve, do të thotë falimentimi i shtetit. “Pa popull bie konsumi, ekonomia dhe buxheti.

Kur bie buxheti, zvogëlohen edhe vendet e punës në sektorin publik. Sikur Qeveritë e deritanishme në këto dy dekada të mendonin fuqizimin e sektorit privat, sektor që përveç që gjeneron vende të reja të punës mbush buxhetin e shtetit, s'do ta kishim këtë gjendje të mjerueshme dhe ikje të qytetarëve”, është shprehur ai.

Image
Dardan Grapci

Kosova është në një kolaps, jo vetëm ekonomik

Analisti Dardan Grapci u shpreh për gazetën “Kosova Sot” se pse Kosova është vendi i vetëm në Ballkan që nuk shënon rritje në punësim. Do të ishte mirë t’u bëhet deputetëve të Kosovës, të cilët bëjnë thirrje që rinia të qëndrojë në Kosove, kurse vetë i dërgojnë fëmijët e tyre nëpër Harvarda dhe Oxforda, që të studiojnë me paratë e popullit.“Me këtë klasë politike dhe me këta njerëz në pushtet, Kosova më shumë do të humb punëtorë sesa që do të fitojë. Qeveria aktuale ka dështuar në planifikimin dhe rregullimin e çështjes për rininë kosovare, Qeveria e Kosovës është dashur që t’i stimulojë të rinjtë me grante për punësim për t’iu dhënë shpresë, e jo t’i fusin në punë personat si mësimdhënës, të cilët çdo vit po dështojnë në testet për mësimdhënës”, është shprehur ai.

Tutje ka shtuar se ekonomia në Kosovë është nën kthetrat e hienave të Kosovës, të cilët vishen me sako e pantallona, kurse natën me maska në fytyrë, për të bërë kontrata ilegale dhe planifikime për shkatërrimin e Kosovës”, është shprehur ai.

Image
Nexhat Haziri

Analisti Nexhat Haziri theksoi për gazetën “Kosova Sot” se mentaliteti i sundimit, sipas tij, në stilin mafioz, dhe jo ai i qeverisjes demokratike me koncept dhe ide të qarta zhvillimore dhe të ngritjes së mirëqenies sociale, ka bërë që qytetarët tanë të humbin shpresën se ky vend mund të jetë i mirëqenë për ta dhe për fëmijët e tyre. “Një vend ku ekonomia e secilit është nën monopolin e tre-katër oligarkëve të lidhur me mafinë politike, ku nuk ofrohen kushte dhe hapësirë të barabartë për konkurrencë të mirëfilltë në biznes, ku ka mungesë të qartë strategjie për përkrahje dhe avancim të prodhimit vendor, ku ka mungesë të funksionimit të ligjit dhe mungesë sigurie për investime, ku vjen në pyetje klientalizmi dhe jo profesionalizmi, nuk mund të prodhojë vende të reja të punës.

Me një fjalë Kosova është në një kolaps jo vetëm ekonomik, por edhe në të gjitha fushat e tjera, e që ka bërë që çdo ditë qytetarëve tanë t’iu vështirësohet jeta, duke e parë si zgjedhje të vetme ikjen nga vendi. Dhe është aq idiotike kur si rezultat i keqqeverisjes ikjen e qytetarëve partitë në pushtet mundohen ta arsyetojnë si të arriturën e tyre, pasi këta qytetarë po shkojnë me viza pune”, është shprehur Haziri, teksa ka shtuar se kjo vërtet nuk është për të të habitur, pasi mentaliteti i tyre është i tillë, mentalitet cubash.

“Këta e marrin si të arritur të tyre që qytetarët nuk po ikin ilegalisht, por me viza puna, pa marrë parasysh se Kosovës po i ikën fuqia punëtore, shtresa më e re e popullsisë, e që rrezikohemi që në një të ardhme jo të largët të përballemi me mungesa të stafit në shëndetësi, në arsim dhe në lëmi të tjera”, është shprehur ai.

Image
Kreshnik Kokollari

Kokollari: Tregu i lirë i Kosovës po u shërben vetëm 'hamallëve' të politikës

“Kosova është vend që lehtë mund të zhvillohet, por grupet kriminale dhe monopolet kanë kapur çdo gjë dhe nuk krijojnë mundësi progresi. Vendi nuk mund të shënojë ngritje të të punësuarve përderisa nepotizmi është mbi nivel, shkalla e papërgjegjshmërisë po ashtu njëjtë dhe kur shumohen çdo ditë punësimet partiake.

Tregu i lirë i Kosovës po u shërben vetëm 'hamallëve' të politikës dhe po tregtojnë madje lehtë edhe me kontratat, ato që nuk i lidhin asnjëherë. Kosova do ta vuajë mosprogresin dhe pamundësinë përderisa do të ketë në folenë e saj banditë e kriminelë”, theksoi analisti Kreshnik Kokollari.

(Kosova Sot)