Guraziu: Të fortët e politikës dhe nëntokës sundojnë Kosovën

  • 26 April 2019 - 12:25
Guraziu: Të fortët e politikës dhe nëntokës sundojnë Kosovën

Analisti Ragip Guraziu thotë se në Kosovë, sa i përket papunësisë, është shkalla më e lartë në Evropë, por 1873 zyrtarë të lartë publikë ushtrojnë më shumë se një funksion. “Të fortët e politikës dhe nëntokës kriminale vazhdojnë të jenë mbi ligjin, ndërkaq populli vuan për mbijetesë.

Kosova po vlerësohet vendi me shkallën më të lartë të papunësisë në Evropë, zyrtarë të lartë të institucioneve shtetërore, të cilët prijnë për nga pagat e larta, nuk e kanë problem të sigurojnë edhe tetë vende pune, sipas Raportit të fundit të publikuar nga Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit, që thuhet se janë identifikuar 1873 zyrtarë të lartë publikë që ushtrojnë më shumë se një funksion”, u shpreh ai për “Kosova Sot”.

“Sipas Agjencisë, një zyrtar i lartë ushtron tetë funksione, 2 persona kanë nga shtatë pozita të ndryshme, po ashtu 2 zyrtarë të tjerë mbajnë gjashtë vende pune, 13 zyrtarë mbajnë për të njëjtën kohë 5 funksione, 37 të tjerë gëzojnë katër punë të ndryshme, me nga tre pozita janë 366 zyrtarë, kurse me nga dy funksione në Kosovë janë 1451 zyrtarë të lartë shtetërorë. Pse një gjë e tille ndodh vetëm në shtetin ku nuk sundon ligji për TË FORTËT E POLITIKËS DHE NËNTOKËS,pra edhe një tërmet i radhës në Kosovë, dhe askush nuk po turpërohet nga institucionet tona me këto shifra marramendëse”, vijoi më tej Guraziu.

“Si po e pengon ky fenomen antiligjor punësimin e personave të tjerë të papunë e që në Kosovë është numër jashtëzakonisht i lartë, kjo tregon se në Kosovë vetëm njerëzit e pushtetshëm, figurat më të mëdha në partitë politike, thuajse ua ka lënë baba, marrin e mbajnë më shumë se dy pozita.

Edhe pse në Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit thuhet se gjatë kohës së ushtrimit të funksionit publik, zyrtari duhet të veprojë në mbrojtje të interesit publik dhe nuk ka të drejtë që interesin e tij privat ta vërë para interesit publik, ky ligj, si dhe çdo ligj tjetër në Kosovë, nuk ka vlerë”, ka theksuar Ragip Guraziu.

(Kosova Sot)