Qarri: Të fortët e politikës dhe nëntokës kriminale vazhdojnë të jenë jo vetëm mbi ligjin, por edhe mbi vetë shtetin

  • 26 April 2019 - 13:12
Qarri: Të fortët e politikës dhe nëntokës kriminale vazhdojnë të jenë jo vetëm mbi ligjin, por edhe mbi vetë shtetin

Analisti Gani Qarri thekson se megjithëse Kosova vlerësohet si vendi me i varfër dhe me shkallën më të lartë të papunësisë në Evropë, zyrtarë të lartë të institucioneve shtetërore, të cilët prijnë për nga pagat e larta,jo vetëm në vend, duke keqpërdorur heshtjen e qytetarëve si dhe inferioritetin e të gjithë shoqërisë kosovare, nuk e kanë fare problem t’i mbajnë të uzurpuara edhe nga tetë vende pune për vete.

“Madje, në Raportin e fundit të publikuar nga Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit thuhet se janë identifikuar jo më pak se 1873 zyrtarë të lartë publikë, të cilët ushtrojnë më shumë se një funksion pune.

Për aq më keq, sipas po kësaj Agjencie, dëshmohet se një zyrtar i lartë ‘SUPERMEN’ ushtron hiq më pak se rrafsh tetë funksione, 2 persona të tjerë mbajnë nga shtatë pozita të ndryshme, 2 zyrtarë kanë nga gjashtë vende pune, 13 zyrtarë për të njëjtën kohë posedojnë 5 funksione, 37 të tjerë bëjnë katër punë të ndryshme, me nga tre pozita janë edhe 366 zyrtarë, kurse me nga dy funksione në Kosovë janë mbi 1451 zyrtarë të lartë shtetërorë.

E gjitha kjo ndodh në një shtet si Kosova, që njihet si vendi më i varfër dhe më i izoluari në rajon, ku fatkeqësisht tash e dy dekada nuk funksionoi si duhet, asnjëherë drejtësia, janë kapur prokuroria e gjyqësori dhe për TË FORTËT E POLITIKËS DHE NËNTOKËS kriminale, as që ekziston ligji”, u shpreh Qarri për “Kosova Sot”.

“Ky fenomen tmerrësisht diskriminues, tipik egoist dhe totalisht antiligjor, tash e 20 vjet, nuk lejon vendosjen e barabarësisë së qytetarëve para ligjit, pengon zhvillimin e vendit dhe pamundëson punësimin e personave të tjerë të papunë e që, siç dihet, në Kosovë ka numër jashtëzakonisht të madh të njerëzve që nuk kanë asnjë burim jetese dhe janë lënë në kushte barbarisht të vështira, për ç`shkak provojnë përditë të ikin nga Kosova për të siguruar mbijetesën për vete dhe familjet e tyre pa asnjë të ardhur. Në anën tjetër, në Kosovën e udhëhequr nga mafiozët, vetëm njerëzit e pushtetshëm dhe figurat më të larta të partive politike, thuajse gjithë shtetin ua ka lëne babai trashëgimi, kanë uzurpuar dhe mbajnë me forcën e pushtetit, më shumë se dy pozita të cilat vetë ata i kanë zgjedhur.

Për aq më tepër, edhe pse në Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit thuhet se gjatë kohës së ushtrimit të funksionit, zyrtari duhet të veprojë në mbrojtje të interesit shoqëror dhe nuk ka të drejtë që interesin e tij privat ta vërë para interesit publik, është vërtetuar katërçipërisht se ky ligj, si dhe çdo ligj tjetër në Kosovën e sunduar nga mafiozët, nuk kanë më asnjë vlerë, pasi TË FORTËT E POLITIKËS DHE NËNTOKËS KRIMINALE vazhdojnë të jenë jo vetëm mbi ligjin,por edhe mbi vetë shtetin, ndërkaq populli vuan për mbijetesë dhe bukë goje”, vijoi më tej Qarri.

(Kosova Sot)