Gjini: Drejtësia e vonuar është padrejtësi

  • 26 April 2019 - 13:16
Gjini: Drejtësia e vonuar është padrejtësi

Avokati Gent Gjini theksoi se një postulat në drejtësi tregon se ”Çdo drejtësi e vonuar është padrejtësi” . Sipas tij, ky parim tregon shumëçka, e fatkeqësisht situatën e tanishme në vetë sistemin e drejtësisë të Kosovës, ku shumë qytetarë, palë të interesuar me vite e vite të tëra presin që lëndët e tyre t’u caktohen.

“Me vite e vite presin që ato lëndë përfundimisht të mund të vendosen nga gjykatat e larta, e veçmas duke ditur se ato në të njëjtën kohë për qytetarët tërheqin edhe barrën e financës, sepse qytetarët detyrohen ligjërisht të paguajnë taksa gjyqësore, të paguajnë ekspertë gjyqësorë, paguajnë tarifa e tarifa të ndryshme gjyqësore, vetëm e vetëm që drejtësia të jetë në vendin e vet në zgjidhjen e kontesteve të tyre”, ka thënë ai.

“Pra, janë këto situata të tilla më simptomatike që drejtpërsëdrejti prekin liritë dhe të drejtat e njeriut dhe të qytetarëve, për një proces të zhvilluar brenda afatit të arsyeshëm kohor, dhe në anën tjetër kjo është edhe pasqyrë për vetë sistemin e drejtësisë se sa të zhvilluar dhe progresive e kemi këtë segment, që në fakt lë shumë për të dëshiruar”, u shpreh Gjini për “Kosova Sot”.

Avokati Gent Gjini tregon se në Shqipëri ekziston një ligj i veçantë “Ligji i diskrecionit” për gjyqtarë, sipas të cilit ata gjyqtarë që brenda funksioneve të tyre me ligj nuk kanë kryer detyrat dhe obligimet për qytetaret dhe vetë drejtësinë, ndaj tyre mund të iniciohet vepër penale për mospërfillje, dhe kështu edhe të largohen nga puna e tyre.

“Edhe shteti i Kosovës duhet ta ketë këtë ligj, sepse e bën vetëdijesimin dhe ndërgjegjësimin e vet gjyqtarëve, nëse ata hezitojnë t’i kryejnë detyrat nga puna e tyre, e me theks të veçantë nga moscaktimi i lëndëve për vite e vite me radhë nga gjyqtarët”, ka vlerësuar Gjini.

(Kosova Sot)