Krasniqi: Largimi në masë i njerëzve do të thotë falimentim i shtetit

  • 26 April 2019 - 14:00
Krasniqi: Largimi në masë i njerëzve do të thotë falimentim i shtetit

Analisti Faik Krasniqi thekson se ndërtimi i autostradave miliardëshe, mosfunksionimi i ligjit, korrupsioni, ka bërë që të kemi ekonomi të prapambetur.“Si pasojë e kësaj, edhe mosgjenerim të vendeve të reja të punës, mungesë e investimeve të huaja, si shkak i korrupsionit, monopolit dhe haraçit institucional.

Ikja e qytetarëve drejt Perëndimit e rëndon edhe më shumë zhvillimin ekonomik. Në një të ardhme jo shumë të largët, do të ketë vende të punës me bollëk, por s'do të ketë fuqi punëtore për shkak të mungesës së saj. Jo për shkak të hapjes së vendeve të reja të punës, por për shkak se bizneseve do t’u ikin punëtorët.

Edhe sikur bizneset do të rrisin pagat në sektorin privat do të jetë shumë vonë, sepse njerëzit e kanë ndarë mendjen që të largohen nga Kosova”, është shprehur Krasniqi. Sipas tij, largimi në masë i njerëzve, do të thotë falimentimi i shtetit. “Pa popull bie konsumi, ekonomia dhe buxheti.

Kur bie buxheti, zvogëlohen edhe vendet e punës në sektorin publik. Sikur Qeveritë e deritanishme në këto dy dekada të mendonin fuqizimin e sektorit privat, sektor që përveç që gjeneron vende të reja të punës mbush buxhetin e shtetit, s'do ta kishim këtë gjendje të mjerueshme dhe ikje të qytetarëve”, është shprehur ai.

(Kosova Sot)