Si po provojnë ambasadorët e huaj t’i aktivizojnë qytetarët kundër padrejtësive qeveritare

  • 26 April 2019 - 15:22
Si po provojnë ambasadorët e huaj t’i aktivizojnë qytetarët kundër padrejtësive qeveritare

Ambasadorët e huaj në Kosovë kanë nisur ta kritikojnë Qeverinë e Kosovës, dhe të bëjnë thirrje për protesta paqësore. Kritikë të ashpër pati dhënë ambasadori zviceran, pas tij ai gjerman, britanik dhe ambasadori amerikan. Përplasja u nis nga çështja e pagave të veteranëve, kur ambasadori zviceran tha se qeveria ka para t’i financojë veteranët e rrejshëm, e nuk ka para të financojë ujësjellësin në vende të Kosovës. E ambasadori amerikan, kritikoi sistemin e drejtësisë, punësimet partiake dhe nepotizmin dhe u bëri thirrje qytetarëve për protesta. 

Ambasadori zviceran, Jean-Hubert Lebet, në përurimin e ujësjellësit në disa fshatra të Skenderajt tha se nuk është normale që qeveria prej nga vjen ai të financojë ujësjellësin në këto fshatra, kur Kosova ka para për të financuar veteranët e rrejshëm.

Ambasadori gjerman Christian Heldt i ka dalë në mbrojtje ambasadorit Zviceran, Jean-Hubert Lebet, pas deklaratës së ministrit Pal Lekajt, për të larguar atë nga Kosova.

Kjo deklaratë Lekajt i kushtoi, pasi ambasadorët tjerë të huaj i dolën në krah ambasadorit zviceran rreth deklaratës së tij.

Christian Heldt ka thënë se atë që e ka thënë Jean Hubert Lebet, e mendojnë të gjithë dhe se Gjermania dhe Zvicra e kanë mbështetur Kosovën me dhjetëra milionë euro për trajtimin e ujit dhe mbeturinave, që nga viti 1999. 

Kështu u shpreh edhe ambasadori britanik, Ruari O’Connell. Ai ka thënë se është koha që populli i cili e do Kosovën të veprojë kundër krimit dhe korrupsionit.

“Ambasadori Zviceran e tha atë që ne të gjithë e mendojmë. Është koha që populli i cili e do Kosovën të veprojë kundër krimit dhe korrupsionit. Është një sfidë e vështirë dhe jo vetëm për Kosovën. Por ata që veprojnë, do ta kenë përkrahjen tonë”, ka deklaruar ambasadori O’Connell.

Ndërsa, kritikat e fundit i dha ambasadori amerikan, Philip Kosnet, kritika që lidhen me korrupsionin, padrejtësinë dhe pabarazinë në shoqëri.

Ai ka thënë se shoqëria civile dhe mediat duhet të jenë më të zëshme përballë padrejtësive dhe më të zëshme në denoncimin e korrupsionit.

Madje, ambasadori u bëri thirrje qytetarëve edhe të organizojnë protesta paqësore, për t’i sfiduar vendimet e padrejta të qeverisë. Protestën e shpjegoi si mjet demokratik që sot përdoret në shoqëritë demokratike.

“Ka shumë mjete në demokraci, të cilat qytetarët i kanë në dispozicion për t’i sfiduar vendimet e qeverisë, të cilat i konsiderojnë të padrejta. Andaj, është me rëndësi që shoqëria civile dhe mediat të luajnë rolin e tyre”, tha Kosnett. 

Kritikat e tij kishin të bënin me aspektin nga sundimi i ligjit dhe gjyqësori.

Rreth kësaj çështjeje, ai “sfidë” e quajti zbatimin e ligjeve në praktikë.

“Nëse shoqëria civile dhe mediat janë më të zëshme, edhe ndryshimet mund të ndodhin”, theksoi Kosnett.

Nga praktikat e këqija, ai mori si shembull rastin e veteranëve të rrejshëm të luftës, të cilët tha se janë shndërruar në përfitues të shumë benificioneve.

Një çështje tjetër që Kosnett përmendi ishte edhe punësimi i njerëzve mbi bazën e përkatësisë partiake dhe familjare dhe jo mbi bazën e meritave.