Abdul Lathief u bë ekstremist e i çmendur, qortonte kushërinjtë që nuk i lëshonin mjekrat

  • 26 April 2019 - 15:20
Abdul Lathief u bë ekstremist e i çmendur, qortonte kushërinjtë që nuk i lëshonin mjekrat

Ishte bërë serioz dhe i mbyllur, duke mos buzëqeshur asnjëherë, e lëre më të qeshte

Abdul Lathief Jameel Mohamed nuk arriti që ta aktivizonte bombën në hotelin "Taj Samudra", por këtë e bëri në një bujtinë të vogël, duke vrarë vetëm një turist

Motrat e sulmuesit vetëvrasës me bomba, të edukuar në Britani, tregojnë se ai u radikalizua gjatë qëndrimit jashtë shtetit dhe u bë "me të vërtetë i zemëruar dhe i çmendur", duke qortuar kushërinjtë që nuk lëshonin mjekrat. Në një intervistë ekskluzive, Samsul Hidaya tregon se Abdul Lathief Jameel Mohamed kishte kryer shkallën më të lartë të edukimit, porse ishte bërë gjithnjë e më i mbyllur në vetvete, derisa rrëshqiste në ekstremizëm. "Vëllai im u bë tepër fetar derisa ishte në Australi', thotë ajo.

'Ai ishte normal kur shkoi për të studiuar në Britani dhe normal kur u kthye. Por, pasi mbaroi studimet postdiplomike në Australi, ai u kthye në Shri Lanka si njeri tjetër. "Ai kishte lëshuar mjekrën dhe kishte humbur sensin e humorit. Ishte bërë serioz dhe i mbyllur, duke mos buzëqeshur asnjëherë, e lëre më të qeshte". Qortonte familjarët për shkak të 'shkeljeve fetare' Mohamed tentoi që ta ngiste në ajër hotelin luksoz "Taj Samudra" në Kolombo, të dielën e Pashkëve. Por, besohet se ai dështoi në këtë tentim dhe, më pas, e hodhi veten në ajër rastësisht në një bujtinë shumë më të vogël. Mendohet se ai kishte studiuar në Universitetin "Kingston" në Londër, midis viteve 2006-07.

Hetuesit britanikë janë duke studiuar për çfarëdo lidhjeje të tij apo për shenja të aktiviteteve ekstremiste gjatë qëndrimit të tij në Britani. Duke theksuar tronditjen rreth përfshirjes së tij në sulmet që morën 359 jetë, Hidaya hap albumin e fotove familjare për të treguar fotot e sulmuesit derisa ishte adoleshent, duke qeshur me miqtë, derisa pozonte me krokodilë dhe me kafshë të tjera. "Atij i pëlqente muzika dhe ishte djalë i gëzueshëm", thotë motra e tij. "Ndihem me të vërtetë e pikëlluar kur mendoj se çka i ndodhi. Para se të vdiste ai nuk i linte fëmijët e tij që të dëgjonin muzikë dhe nuk i fliste mirë askujt'. Ai ishte besimtar i devotshëm edhe kur ishte fëmijë, por kurrë nuk kishte shkuar 'kaq larg' në këtë drejtim. Por, pasi u kthye nga Australia, tregon e motra, ai filloi t'i qortonte familjarët për shkak të 'shkeljeve fetare'. 'Kam pasur shumë grindje me të', thotë motra. 'Në fillim ai citonte shkrimet e shenjta dhe unë i thosha OK, ke të drejtë. Por, më pas biseda u thellua më shumë në fe dhe nuk mund ta përcillja se çka ishte duke thënë. Për këtë shkak pushova së foluri me të, meqë kishte rrezik që gjërat të dilnin jashtë kontrollit".

Edhe pse Mohamed jetonte aty afër, ai me motrën evitonin njëri-tjetrin. Kur ai shkonte ta vizitonte të ëmën, e cila jetonte me zonjën Hidaya, ai e injoronte këtë të fundit. 'Bile filluam të shkonim rrugëve të ndryshme kur dilnim nga shtëpia, apo kur ktheheshim në shtëpi', thotë ajo. 'Para se të vdiste, Mohamed kishte nxjerrë në shitje shtëpinë familjare'" Por, përkundër fanatizmit të tij evident, lajmi se ai mori pjesë në sulmet e Pashkëve, ishte i papritur për motrën e sulmuesit. 'Kur erdhi policia dhe na tha se ai ishte sulmuesi, sa nuk më ra të fikët', thotë Hidaya. 'Thjesht, nuk kisha menduar se ai do të shkonte kaq larg. Ende nuk mund të besoj. Diçka i ndodhi atij në Australi, sa që ia ndryshoi personalitetin. Ai u bë i heshtur dhe i tërhequr në vetvete'. Gruaja e Mohamedit, me të cilën ai ishte martuar në një ceremoni luksoze para se të shkonte në Australi, ishte 'e heshtur dhe anonime', thotë Hidaya. Ajo është marrë në mbajtje nga policia, derisa të katër fëmijët e tyre, janë dhënë në përkujdesje te gjyshja e tyre, në shtëpinë ku edhe ishte planifikuar sulmi. Identiteti i Mohamedit u bë i ditur pasi ministri shrilankas i Mbrojtjes, Ruwan Wijewardene, tha për mediet se njëri nga sulmuesit kishte studiuar në Britani, e më pas edhe në Australi.

Zonja Hidaya tha se vëllai i saj, i lindur në vitin 1982 në një familje me gjashtë fëmijë, vinte nga një familje e pasur, tregtarësh të çajit, në afërsi të qytetit Kandi. Dhjetë vjet më parë, pas vdekjes së të atit, Abdul Latif, nëna e tij, Samsun Nissa, shkoi te familjarët në Kolombo, duke marrë me qira katin e epërm të një bujtine në një periferi të banuar me shumicë myslimane. Pasi u kthye nga studimet në Britani, Mohamed shkoi të jetonte aty dhe ra në dashuri me të bijën e pronarit të bujtinës, Shifana, e cila vinte nga një familje e njohur e tregtisë me mish. 'Para se të vdiste, Mohamed kishte nxjerrë në shitje shtëpinë familjare', thotë Hidaya. 'Është evidente se i duheshin paratë'. Ai ishte aq i pasur, sa që nuk kishte nevojë të punonte fare

(Kosova Sot)