Kush është Tienmu Ma, eksperti i huaj të cilin nuk po e pranon Hashim Thaçi

  • 26 April 2019 - 16:49
Kush është Tienmu Ma, eksperti i huaj të cilin nuk po e pranon Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po refuzon t’i përgjigjet pyetjeve të Komisionit Hetimor Parlamentar për dëbimin e gjashtë gylenistëve vitin e kaluar, pasi ka thënë se i druhet ekspertit të huaj ligjor të angazhuar nga Komisioni.

Thaçi ka aluduar se eksperti ligjor, amerikani Tienmu Ma, është këshilltar i Lëvizjes Vetëvendosje. Ka thënë se Tienmu Ma është i afërt me Sami Kurteshin, anëtarin e Komisionit Hetimor për “Gylenistët”. 

“Instistoj. Eksperti ndërkombëtar, a e ka aprovimin e ndonjë zyre ligjore të Kuvendit të Kosovës? A lejohet për t’u angazhuar ky ekspert ligjor, mbi ç’bazë e keni angazhuar ju? Tashmë doli që është i preferuar i zotit Kurteshi, mik i zotit Kurteshi dhe këshilltar i një partie politike që e përfaqëson Samiu”, ka thënë Thaçi.

Ndërkaq, Kurteshi ka thënë se Tienmu Ma është doktorant i universiteteve të Yale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe atij të Lucernit në Zvicër.

Tienmu Ma punon prej vitesh si këshilltr ligjor në institucionin e Avokatit të Popullit, udhëheqës i së cilit kishte qenë Kurteshi disa vite më parë. 

“Eksperti është Tienmu Ma, që ka punuar si këshilltar i Avokatit të Popullit. Është doktorant i Universitetit ‘Yale’ në SHBA dhe doktorant i Universitetit të Lucernit. Tienmu Ma, ende është ekspert i Avokatit të Popullit dhe është përpilues i raporteve si ato për rrymën në veri apo të tjera të cilat ju i lexoni”, ka thënë Kurteshi.

(Kosova Sot)