S’marrin asnjë përgjigje si u depërtuan gylenistët, e lirojnë Presidentin

  • 26 April 2019 - 17:02
S’marrin asnjë përgjigje si u depërtuan gylenistët, e lirojnë Presidentin

Ka përfunduar mbledhja e Komisionit Hetimor për deportimin e gjashtë shtetasve turq me Presidentin Thaçi dëshmitar, që nuk u përgjigj në asnjë pyetje.

Janë dashur që të reagojnë publikisht ambasadat, në mënyrë që Thaçi më në fund të paraqitet para komisionit që heton rrëmbimin dhe dëbimin e gjashtë shtetasve turq.

Presidenti ka arritur që të qëndrojë me sukses disa orë në komisionin pa u përgjigjur në asnjë pyetje që iu parashtrua nga anëtarët e këtij komisioni.

Përkundrazi, Thaci përvec “show”-it me Sami Kurteshin e Vetëvendosjes dhe debatit për luftë e për SHIK me anëtarët e opozitës nuk foli asgjë për cështjen që është ftuar.

I pari i vendit u parashtronte pyetje Komisionit për angazhimin e një eksperti të huaj për të kryer ekspertizën rreth dëbimit të gylenistëve dhe nëse kjo kishte bazë ligjore.

Deputeti i AAK’së, Muharrem Nitaj dhe deputeti i LDK’së, Driton Selmanaj tentuan t’i shpjegojnë presidentin Thaci se si ishte puna me angazhimin e ekspertit, për të cilin Thaçi tha se është i afërt me ish-Avokatin e Popullit, Sami Kurteshi.

“Presidentin Thaçi me të gjitha lojërat që i bën dhe që janë banale, nuk është i gatshëm të dëshmojë dhe të përgjigjet në asnjë pyetje. Përkundrazi është marrë me shpifje”, ka thënë Kurteshi.

Ndërkaq Thaçi i ka quajtur këto të pavërteta, duke deklaruar se ka vullnet të dëshmojë, por jo pa i plotësuar kërkesën për interpretim ligjor mbi angazhimin e ekspertit të huaj.

“Është qëndrim i pabazuar në asnjë argument. Komisioni duhet të sigurojë bazën ligjore që po e kërkojë”, është shprehur Thaçi.

Ndërkaq, si në të gjithë mbledhjen, edhe në fund, deputeti i PDK’së, Hajdar Beqaj po provonte që me cdo kusht të mbronte Presidentin Thaci, varësisht se cka thoshte ky i fundit.

Ndonëse Presidenti Thaci akuzohet se ka dhënë urdhër për deportimin e gylenistëve, e për këtë e kishte falëndëruar edhe homologu i tij turk, Recep Tayyip Erdogan, deputeti i PDK’së po i vinte keq që sot Kuvendi i humbi kohën Thacit.

“Ne nuk patëm aftësi menaxheriale që të plotësojmë një kërkesë, që presidentin e pati prej fillimit . Unë e kisha liru presidentin. President të kërkojmë falje që ta kemi hupë kohën”, tha Beqa.

(Kosova Sot)