Selmanaj: Thaçi, adresa e vetme prapa deportimit të ‘gylenistëve’

  • 26 April 2019 - 17:37
Selmanaj: Thaçi, adresa e vetme prapa deportimit të ‘gylenistëve’

Deputeti i LDK’së, Driton Selmanaj ka thënë se sjellja e Presidentit Hashim Thaçi gjatë së premtes, në komisionin hetimor për deportimin e gylenistëve, dëshmon se adresa e vetme prapa këtij procesi, është zyra e Presidentit.

“Mendoj që Presidenti me mosgatishmërinë e tij për me dëshmu, është prapa këtij procesi, për shkak që sjellja e tij dëshmonte që adresa ku shkon në fund vendimarrja për këtë procesi të dëmshëm, fyes dhe me pasoja për Kosovën është vetëm në zyrën e Presidentit” u shpreh Selmanaj 

Sipas deputetit të LDK’së, e gjithë kjo sjellje ishte një skenar i menduar mirë nga PDK’ja dhe Presidenti.

Selmanaj vlerësoi se është tragjike që Kosova ka në krye të vendit një njeri të tillë.

 Ai dha detaje në lidhje me ekspertin i cili ishte i angazhuar ta hetojë rastin e deportimit të gylenistëve. Sipas Selmanajt, ai ka qenë shumë i përgatitur për punën që u angazhua.

“Në fakt ne në përputhje me ligjin na lejohet të angazhojmë ekspertë, tema ishte komplekse, duhet të analizohen shumë raporte dhe ka qenë një propozim i Kurteshit, por ne të tjerët nuk kemi propozu emra të rinj, jemi pajtu me CV’në e tij, kemi vlerësu që CV e tij është e pasur, ka dy-tri doktorata, më ka lënë përshtypje si profesionist” tha Selmanaj.

Sipas tij ky është një ndër raportet që do të jetë shembull.

Pak minuta më parë, përfundoi edhe mbledhja e komisionit, ku do të raportonte Presidenti Hashim Thaçi në lidhje me deportimin e gylenistëve, pasi disa herë të tjera nuk ishte paraqitur fare.

(Kosova Sot)