Corbyn refuzon pjesëmarrjen në pritjen shtetërore për Donald Trumpin

  • 26 April 2019 - 18:08
Corbyn refuzon pjesëmarrjen në pritjen shtetërore për Donald Trumpin

Lideri i Partisë Laburiste të Britanisë së Madhe, Jeremy Corbyn, e ka refuzuar ftesën për të marrë pjesë në një gosti shtetërore me presidentin amerikan, Donald Trump, i cili do ta vizitojë Britaninë e Madhe në fillim të qershorit. 

Presidenti amerikan do ta vizitojë Britaninë e Madhe nga 3 deri më 5 qershor në një vizitë që është pritur gjatë. Gjatë kësaj vizite, ai do të marrë pjesë në një darkë shtetërore, të shtruar nga Mbretëresha Elizabetë.

Përmes një deklarate, lideri i laburistëve tha se ai nuk pajtohet me vendimin e kryeministres për t’ia ofruar një vizitë zyrtare presidentit amerikan dhe konfirmoi se nuk do të marrë pjesë në ndonjë darkë shtetërore.

“Theresa May nuk do të duhej ta shtronte tepihun e kuq për vizitë shtetërore për ta nderuar një president që i thërrmon traktatet e rëndësishme ndërkombëtare, që i mbështet mohimet e ndryshimit të klimës dhe që përdor retorikë raciste dhe kundër grave”, tha Corbyn. 

“Mbajtja e marrëdhënieve të mira me Shtetet e Bashkuara nuk kërkon ceremoni të vizitës shtetërore. Është dëshpëruese që kryeministrja përsëri ka vendosur ta respektojë tej mase këtë administratë amerikane”, shtoi ai.

Deklarata e liderit të opozitës britanike erdhi pasi ftesën për të marrë pjesë në këtë ceremoni e refuzuan edhe kryetari i Dhomës së Ulët, John Bercow, dhe lideri i liberal-demokratëve, Sir Vince Cable, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot)