Zeqa: Politikanët po sillen si despotët

  • 26 April 2019 - 19:32
Zeqa: Politikanët po sillen si despotët

Edhe pse Kosova vlerësohet vendi me shkallën më të lartë të papunësisë në Evropë, zyrtarë të lartë të institucioneve shtetërore, të cilët prijnë për nga pagat e larta, nuk e kanë problem të sigurojnë edhe deri tetë vende pune për vete. Sipas Raportit të fundit të publikuar nga Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit, thuhet se janë identifikuar 1873 zyrtarë të lartë publikë që ushtrojnë më shumë se një funksion. 

Sipas Agjencisë, një zyrtar i lartë ushtron tetë funksione, 2 persona kanë nga shtatë pozita të ndryshme, po ashtu 2 zyrtarë të tjerë mbajnë gjashtë vende pune, 13 zyrtarë mbajnë për të njëjtën kohë 5 funksione, 37 të tjerë gëzojnë katër punë të ndryshme, me nga tri pozita janë 366 zyrtarë, kurse me nga dy funksione në Kosovë janë 1451 zyrtarë të lartë shtetërorë.

Sipas analistëve, ky fenomen antiligjor po e pengon punësimin e personave të tjerë të papunë, e që në Kosovë është numër jashtëzakonisht i lartë.

"Vetëm në vendin ku nuk sundon ligji e drejtësia, njerëzit e pushtetit mund të mbajnë pese deri në tetë vende të punës, mund të gëzojnë të gjitha privilegjet e pushtetit. Drejtësia e kapur mbron të fortët e politikës, të korruptuarit dhe të inkriminuarit, drejtësia selektive diskriminon qytetarët e vendit sipas përkatësive partiake, lidhjeve nepotike e familjare. Bazuar në raportin e fundit të AKKS-së, të dhënat janë shqetësuese, me ç' rast janë identifikuar 1873 zyrtarë të lartë publikë që ushtrojnë më shumë se një funksion në institucionet publike. Sipas Agjencisë në fjalë, një zyrtar i lartë shtetëror ushtron madje deri në tetë funksione njëkohësisht, paradoks ky i paparë dhe i padëgjuar në vendet e civilizuara demokratike. Ndodh kështu për shkak të sjelljes antiligjore dhe antinjerëzore të bartësve të institucioneve shtetërore në kohën kur papunësia në Kosove është në nivelin më të lartë në rajon”, thotw analisti politik, Florim Zeqa. 

“Njerëzit e pushtetshëm, figurat e inkriminuara politike, figurat me të larta të partive politike sillen si despotë të egër, thuajse ua ka lënë baba të ushtrojnë më shumë se dy pozita në institucionet publike e shtetërore, edhe përkundër faktit se ligji e përcakton parandalimin e konfliktit të interesit, ku ligji e përcakton qartë se zyrtari shtetëror gjatë ushtrimit të funksionit shtetëror duhet të mbroje interesin publik dhe nuk ka asnjë të drejtë të vërë interesin privat para atij shtetëror dhe publik. Edhe përkundër infrastrukturës së kënaqshme ligjore, të fortët e politikës vazhdojnë të jenë mbi ligjet dhe Kushtetutën e vendit, ndërkaq qytetarët e rëndomtë vuajnë për mbijetesë në shtetin e kapur nga mafio-politika dhe nëntoka kriminale", theksoi për "Kosova Sot", analisti Florim Zeqa.