Mbi 200 raste të abuzimit me substanca narkotike nga nxënësit këtë vit

  • 27 April 2019 - 09:17
Mbi 200 raste të abuzimit me substanca narkotike nga nxënësit këtë vit

Për vetëm dy muaj, Policia e Kosovës ka arrestuar 276 persona për 217 raste të përdorimit të narkotikëve. Për këto raste janë ngritur 111 kallëzime penale. Më së shumti këto raste kanë ndodhur nëpër shkolla. Për dy vjet janë arrestuar 242 nxënës.

Në statistikat që media ka siguruar nga Policia e Kosovës thuhet se gjatë muajit janar dhe shkurt të këtij viti, kanë qenë 217 raste të abuzimit me substanca narkotike nga nxënësit.

“Janë 217 raste, 288 të dyshimtë, 276 të arrestuar, 51 të ndaluar, 270 shqiptarë, 1 serb, 17 të tjerë, 279 meshkuj, 9 femra, 31 raste të trafikimit, 186 raste të posedimit, asnjë rast i kultivimit, janë zhvilluar 146 operacione, ndërsa janë evidentuar 3 raste të grupeve kriminale”, thuhet në raportin e Policisë.

Ndërkaq në operacionet e policisë janë bërë edhe konfiskime të substancave narkotike tek nxënësit.

Gjatë janarit janë konfiskuar 98 kilogramë e 984.03 gramë marihuanë, 39.21 gramë kokainë dhe 4 hapa ekstazia.

Përgjatë muajit shkurt janë konfiskuar 2.54 gramë marihuanë, 278 kilogramë e 896.83 gramë marihuanë, 76.6 gramë kokainë dhe 81 hapa ekstazia.

Nga 2 dhjetori i vitit 2017 deri në 31 janarin e vitit 2019, në polici janë raportuar 153 raste në shkolla dhe rreth tyre.

“18 raste brenda objekteve shkollore, 68 raste në oborre të shkollave, 67 raste jashtë oborreve të shkollave, 525 raste në perimetrin e zonës 350 metër dhe jashtë perimetrit të sigurisë së shkollave”, theksohet në përgjigjen e policisë.

Ndërkaq në shkolla dhe rreth tyre, policia ka arrestuar 198 persona të dyshuar, prej tyre 66 nxënës dhe 132 persona të tjerë. Në perimetrin e sigurisë dhe jashtë saj janë arrestuar 644 persona të dyshuar, ku në mesin e tyre janë 242 nxënës.

Policia bën të ditur se prej 198 personave që janë arrestuar në shkolla dhe rreth tyre, 49 persona kanë qenë shpërndarës dhe 149 prej tyre përdorues. Ndërkaq nga të arrestuarit në shkolla dhe afërsi të tyre, 6 kanë qenë femra dhe 192 meshkuj.

(Kosova Sot)