Limaj: Serbia e dinë vendndodhjen e të pagjeturve

  • 27 April 2019 - 12:57
Limaj: Serbia e dinë vendndodhjen e të pagjeturve

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, njëherësh bashkëdrejtues i Delegacionit Shtetëror për Bisedime me Serbinë ka bërë homazhe tek obelisku i të Pagjeturve në nderim të 27 Prillit- Ditës së të Pagjeturve të Kosovës.

Me këtë rast Limaj ka thënë se në këtë ditë kujtojmë se në çfarë dhimbje ka kaluar ky vend për të ardhur të liria. Limaj ka thënë se është një moment për të rikonfirmuar vendosmërinë që këtë plagë tash e 20 vite të pashëruar është momenti i fundit kur shteti i Kosovës në çfarëdo bisedime me Serbinë duhet t’i ketë dy parakushte.

“Sa është e rëndësishme zgjidhja e fatit të pagjeturve aq e rëndësishme është edhe ajo që Serbia duhet të deklarohet për krimet dhe gjenocidin që ka kryer në Kosovë. Neve sot na mungojnë mbi 1000 njerëz dhe Kosova vazhdon të fyhet dhe familjaritet fyhen nga presidenti serb duke mohuar krimet dhe masakrat. Andaj janë dy çështje që duhet zgjidhen: e para zgjidhja e menjëhershme e fatit të pagjeturve dhe e dyta Serbia të detyrohet të kërkoj falje dhe të heq dorë nga mohimet e krimeve që ushtria dhe policia serbe kanë kryer në Kosovë”, ka thënë ndër të tjera Limaj.

Më tutje bashkëkryesuesi i delegacionit Shtetëror i ka siguruar familjet e të pagjeturve se nuk do të ketë kurrfarë marrëveshje me Serbinë për sa kohë që nuk ndriçohet fati i të pagjeturve.

“Nuk ka mundësi të nënshkruhet asnjë marrëveshje nga Delegacioni shtetëror nëse brenda asaj marrëveshje nuk saktësohet decidivisht afati, koha e idenetifikimit të pagjeturve. Serbia duhet t’i hapë arkivat. Shteti serb e din saktësisht për secilin të pagjetur se çka ka ndodhur”, ka shtuar Limaj.

(Kosova Sot)